Presidentja Osmani për kërcënimet e Vuçiqit ndaj Kosovës: Do të dalë sërish i dështuar

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në një intervistë për Telegrafin i është përgjigjur deklaratave kërcënuese të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq të dhëna ditë më parë. 

Osmani tha se deklarata e tij është vetëm vazhdimësi e deklaratave të shumta publike që Vuçiqi i ka dhënë duke kërcënuar “se do ta sulmojë Kosovën”.

Osmani tha se Vuçiqi do të dështojë, ashtu si të gjitha përpjekjet e dështuara të Serbisë deri tani.

“Njësoj si edhe në të kaluarën ai duhet ta dijë se do të dalë i dështuar, sepse të gjitha përpjekjet  e Serbisë nga viti 1998-99 e tutje që ta pushtojnë Kosovën dhe ta kenë territorin e Kosovës kanë dështuar. E para, për shkak të sakrificës së popullit të Kosovës dhe luftës sonë çlirimtare dhe e dyta, se në krah kemi pasur gjithmonë miq, popuj liridashës të cilët bashkë me ne kanë mbrojtur vlerat më të rëndësishme të lirisë dhe demokracisë”, ka thënë Osmani.