Mësimi i gjuhës shqipe në Kroaci zhvillohet brenda sistemit të arsimit kroat

Mësimi i gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në Kroaci ka një traditë: Njihet kontributi i arsimtarëve shqiptarë të asaj kohe në Zarë si Pashk Bardhi, Gjergj Koleci, Anton Paluca, Mati Logoreci, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Shtjefen Gjeçovi, Josip V. Reles.

Shkruan: Melita Orešković, Kroaci

Fillimet e para të mësimit shqip në Kroaci datojnë në Zarë, në fillim të shekullit të XX në kuadër të politikës kulturore e arsimore të Austro-Hungarisë, fëmijët arbëneshë mësonin gjuhën shqipe në shkollë, si lëndë e detyrueshme prej vitit 1901-1918.

Njihet kontributi i arsimtarëve shqiptarë të asaj kohe në Zarë si: Pashk Bardhi, Gjergj Koleci, Anton Paluca, Mati Logoreci, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Shtefen Gjeçovi, Josip V. Reles. Mësimi i plotësues i gjuhës shqipe në Zagreb ka filluar që prej vitit 1994 në Zagreb dhe është organizuar nga Unioni i Bashkësive Shqiptare të Kroacisë për shume vite me rradhë.

Ndërsa prej vitit 2008 e deri sot ka filluar dhe vazhdon mësimi i gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare sipas modelit C brënda sistemit shkollor kroat, i lejuar e miratuar nga Ministria e Shkencës dhe Arsimit të Kroacisë. Ligji Kushtetues për të drejtat e pakicave kombëtare të Republikës së Kroacise neni 7, parag 1 e 2, neni 11, parag 1, 2,3 garanton të drejtat dhe liritë e pakicave kombëtare të Kroacisë: përdorimin e gjuhës dhe shkrimit, privatisht, publikisht dhe zyrtarisht dhe arsimimin në gjuhën dhe shkrimin e pakicave kombëtare.

Mësimin shqip e ndjekin edhe nxënës kroatë

Në Kroaci, për mësimin shqip ne kemi zgjedhur modelin C, mësimi i gjuhës dhe kulturës shqiptare zhvillohet njëherë në javë, të shtunën me 2, 3,4 ose 6 orë mësimore dhe në disa shkolla si në Istër dhe Split gjatë ditëve të tjera të javës, mësimi mbahet me 3 nivele në grupe heterogjene, ku niveli i njohurive edhe brenda një grupi ndryshon, puna e mësimëdhënësve është pothuajse individuale me secilin nxënës. Tekstet shkollorë, fletoret e punës sipas kompleteve na dërgohen nga Shqipëria dhe Kosova nëpërmjet ambasadave shqiptare dhe iu shpërndahen nxënësve papagesë. Në vitet e kaluara dhe aktualisht mësimin shqip e kanë ndjekur dhe ndjekin edhe nxënës kroatë. Në të gjithë Kroacinë mësimi shqip mbahet në 14 shkolla tetëvjeçare dhe 1 shkollë te mesme, ku japin mësim 8 mësues, në Zagreb, Rijekë, Istër, Osijek, Gjakovë, Split, Zarë, Krk. Shkollat shqipe përgatisin nxënësit në drejtim të përvetësimit të gjuhës amtare shqiptare, të njohjes së historisë së shqiptarëve, të gjeografisë së vendlindjes të të parëve të tyre dhe njohjes së disa tipareve të artit popullor e bashkëkohor, të trashëgimnisë kombëtare e të tjerë. Përqindja e nxënësve që frekuentojnë mësimin shqip në shkollat tetëvjeçare dhe të mesme në Kroaci është 2-3 %, që është një përqindje shumë e vogël.

Njohuritë për gjuhën shqipe dhe kulturës shqiptare i zgjerojnë nëpërmjet projekteve dhe shkollave verore

Në vitin 2014 u themelua edhe Këshilli i Mësuesve Shqiptarë të Kroacisë, që ndër vite i mbështetur nga ish Ministria e Diasporës së Kosovës kanë bashkëorganizuar seminaret rajonale për mësuesit në Kroaci në qytetet e Zagrebit, Pullës dhe Velika Goricës, ku kanë marrë pjesë mësuesit shqiptarë të Austrisë, Gjermanisë, Sllovenisë, Italisë e Kroacisë. Gjithashtu ky Këshilli ka organizuar edhe shumë tribuna e konferenca kushtuar gjuhës shqipe, mësimdhënies, mësimxënies me ligjërues edhe nga mësuesit e gjuhëve të tjera amtare, përfaqësues të ministrive të arsimit të Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës.

Nxënësit shqiptarë marrin pjesë në programet që organizojnë shkollat ku mbahet mësimi shqip në Zagreb, Osijek, Istër, Zarë, Rijekë, Split, Krk dhe në programet e përbashkëta me shkollat e gjuhëve çeke, hungareze, maqedonase, polake, boshnjake, hebreje, ukrainase si festimi i Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare në Zagreb, klasat në natyrë, manifestimet e komuniteteve, festat kombëtare, festën e mësuesit e të tjerë. Gjithashtu kemi realizuar programe të përbashkëta të nxënësve të mësimit shqip të Zagrebit me të Bjellovarit, Pullës, Osijekut, Zarës e Krkut dhe konkurse letrare dhe të vizatimit me temën “Kosova ime”. Në Zagreb, më nxënësit e mi në përfundim të çdo viti shkollor, prej vitit 2015 realizojmë shëtitjen edukativo-turistike “Flasim për Zagrebin shqip”, ku nën drejtimin e cicerones turistike Gjurgjica Ramqaj dhe të mësueses shëtisim në qytetin e Zagrebit, mësojmë, flasim e dëgjojmë për historinë e legjendat e vjetra të Zagrebit. Nxënësit për një ditë ndihen turistë në qytetin e tyre.

Gjithashtu, prej vitit 2021 kemi filluar edhe projektin “ Të njohim më mirë Kroacinë, qytetet e tjera nëpërmjet kontributit të shqiptarëve në zhvillimin e vendit në fushat ekonomike, arsimore e shkencore e kulturore. Deri tani kemi vizituar qytetin Stubiçke Toplice, Zarën dhe Poreçin, ku nxënësit kanë vizituar edhe shkollën tetevjeçare të Zarës, ku mbahet mësimi shqip, janë takuar me shokët e tyre dhe kanë njohur përfaqësuesit e organizatave dhe këshillave shqiptare të këtyre qyteteve. Me nxënësit e mi kemi vënë në skenë pjesët teatrore “Çimi dhe roboti budalla”, “Fundi është memec” dhe dramatizime të disa legjendave shqiptare, si dhe kanë marrë pjesë në koncerte me instrumentë muzikorë, me korin e vajzave dhe grupin e valleve. Kemi organizuar takime dhe biseda të nxënësve me ish luftëtarë të UÇK, me intelektualë e artistë shqiptarë, ku nxënësit kanë drejtuar pyetje interesante dhe mësuar më shumë.

Një program interesant ishte edhe “Sënduku i gjyshes”, ku nxënësit e mi sollën kujtime të gjyshërve të tyre, folën për historitë e tyre, shkruan tregime dhe po përgatisim librin përmbledhje me tregimet e nxënësve të titulluar “Nga sënduku i gjyshes”, që pritet së shpejti të dali nga botimi deri në fund të këtij viti. Programi i fundit me nxënësit u mbajt më 25 nëntor 2023, vizitë në Ambasadën e Shqipërisë me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, ku nxënësit kënduan, recituan, uruan festën e flamurit dhe biseduan me ambasadorin Riza Poda, ndërsa nga punonjësit e ambasadës iu dhuruan dhurata me simbolet kuq e zi.

Vlen të përmend edhe shkollën verore shqipe, që e financon Ministria e Shkencës dhe Arsimit të Kroacisë. Në vitin 2022 shkolla verore shqipe u mbajt në qytetin e Selcës, ndërsa në 2023 u mbajt në Savudrija, ku sipas një programi të veçantë nxënësit zgjerojnë njohuritë e tyre për gjuhën shqipe, trashëgimninë, muzikën, teatrin, filmin, sportin nëpërmjet puntorive të ndryshme dhe lojrave didaktike komunikojnë dhe vazhdojnë të flasim shqip. Shkollën verore shqipe e drejtoj unë dhe bashkëpunojmë me mësuesit Mendu Imeri dhe Pranvera Shabani. Në vitet e ardhshme shpresojmë të bashkëpunojme edhe me mësuesit tjerë.

(Autorja është mësuese e gjuhës shqipe dhe kryetare e Këshillit të Mësuesve shqiptarë në Kroaci)