Mediat botërore jehonë vizitës së Zelenskyt në Tiranë, si u komentua Samiti

Vizita e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Shqipëri nuk ka kaluar pa vëmendjen e mediave ndërkombëtare, të cilat në edicionet e tyre online kanë folur për të.

Kështu, televizioni “France 24” ka folur për vizitën dhe takimet e Zelenskyt me liderët e Evropës jug-lindore, për të kërkuar mbështetje dhe armatime, në një kohë kur Rusia po fiton terren.

Në të njëjtat linja “DailyMail” ka shkruar se bëhet fjalë për vizitën e dytë të Zelenskyt në një vend ballkanas, duke kujtuar se si Shqipëria e ka mbështetur Ukrainën që nga fillimi i pushtimit rus.

Agjencia italiane e lajmeve “ANSA” ka pasqyruar gjithashtu vizitën, duke e vënë theksin tek takimi i tij me kryeministrin Edi Rama, për të diskutuar bashkëpunimin ushtarak dhe politik.

Edhe portali “YahooNeës” ka shkruar për ardhjen e kreut të shtetit ukrainas në vendin tonë, duke nënvizuar se ai po takohet për herë të dytë me liderët e Evropës jug-lindore, pas samitit të gushtit të kaluar në Athinë.

Ndërsa Turkja “Hurriyet” ka shkruar në edicionin online se Zelensky po kërkon ndihmën e vendeve ballkanase dhe ish-sovjetike për t’i bërë ballë avancimit rus dhe në një kohë kur vendit të tij po i mbarojnë municionet.

Nga mediat ukrainase ka qenë “The Kyiv Independent” që ka raportuar për qëndrimin e Zelenskyt në Tiranë, duke i kushtuar vëmendje nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit Ukrainë-Shqipëri.

Edhe “The Boston Globe” i ka kushtuar një artikull vizitës, duke nënvizuar se ardhja e Zelenskyt në Shqipëri synon të inkurajojë mbështetjen e mëtejshme për Kievin nga vendet e Evropës jug-lindore, kur pas dy vjetësh luftë po vihet re një lodhje prej saj./Euronews.al