‘Heronjtë e kaltër’, libri që motivon për besim, bashkëpunim dhe respekt në Policinë e Kosovës

“Heronjtë e kaltër” u bë sebep që Ambasada e Republikës së Shqipërisë, në Prishtinë t’i hapë dyert për eventin e parë kulturor, atë të promovimit të librit të autores Mihane Hoxha.

Në promovim morën pjesë: Ambasadori i Shqipërisë Qemal Minxhozi, Ambasadorja e Maqedonisë së Veriut Shpresa Jusufi, Ambasadori i Malit të Zi Bernard Çobaj, zëvendësambasadori i Kroacisë Nedjeljko Spilek, deputetët e Kuvendit të Kosovës Elmi Reçica dhe Rashit Qalaj, Dr. Don Lush Gjergji, këshilltaret e ambasadws sw Shqipërisë Pranvera Teli e Gladiola Strugaj, atashe-policore Luljeta Ismajlukaj, kryetari i shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi, përfaqësues nga Policia e Kosovës, në krye me major Luljetë Mehmeti-Quigley, redaktorja e librit Flora Peci, lektorja e librit Dafina Jegeni – Krasniqi, përfaqësues nga Muzeu Kombëtar i Kosovës, përfaqësues nga Shtëpia Botuese “Lena Graphic” gazetarë, shkrimtarë e familjarë të autores, nxënës nga shkolla fillore “Xhavit Ahmeti”, “Faik Konica” dhe fëmijë nga “Hello Kids Academy”.

Libri “Heronjtë e kaltër” është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ndërsa përveç shqipes është përkthyer n ë anglisht dhe serbisht nga gazetari Burim Tmava.

Image

Nën tingujt e violinës ekzekutuar nga nxënësja Amina Gashi, u bë hapja nga ambasadori Minxhozi, i cili bëri të ditur se një ngjarje e tillë po bëhet për herë të parë në ambientin e ambasadës duke u shpreh me fjalët superlative për autoren dhe librat e saj.

“Kjo derë sot është hapur për të bërë promovimin e një libri të bukur të autores Mihane Hoxha, e cila rreshton mbi dhjetë libra në prozë e poezi gjatë karrierës së saj shumë të shkurtër si shkrimtare, si poete. Dhe, unë mendoj që kjo ditë, sot, do të më ngelët në memorie shumë-shumë gjatë, sepse pjesëmarrës nuk janë këtu vetëm fëmijët por janë nga i gjithë spektri shoqëror i Kosovës. Prandaj, unë them se është një ditë me fat, është ditë e bukur. Fëmijët sa më shumë libra sot, aq më të aftë do të jenë nesër për t’u bërë mësues, për t’u bërë inxhinier, për t’u bërë polic, aviator, ambasador dhe çdo gjë. Sa më tepër pranë librit, sa më tepër të lexojnë aq më tepër të ditur do të bëhen që Kosova të njeh hapësira të reja të zhvillimit në gjithë botën e sotshme të zhvilluar”, ka thënë ndër të tjerash Ambasadori Minxhozi.

Image

Ndërsa, Begishe Krasniqi nga Drejtoria e Policimit në Bashkësi dhe Preventivë e ka uruar dhe falënderuar autoren në emër të policisë së Kosovës, duke e vlerësuar për kontributin e vazhdueshëm në pasqyrimin e vlerave ndaj uniformës së policisë së Kosovës.

Image

“Nuk është hera e parë që marrim pjesë në përurimet e librave dhe aktiviteteve të Mihane Hoxhës, dhe në emër të policisë së Kosovës e falënderojmë për shkrimet e saj, që e pasqyron punën e policisë në përgjithësi. Duke u fokusuar në librin e saj unë do të thosha, jo vetëm ky libër por edhe në librat e tjerë të autores mund të selektoj apo t’i drejtoja si pasuri në tri drejtime: drejtimi i parë është një pasuri që e shton në letërsinë shqipe. Gjithashtu, drejtimi tjetër mund të jetë e ngrit besueshmërinë e qytetarëve karshi punës së policisë. Penda e saj ka arritë që të bëjë një vlerësim dhe ta ngritë në piedestal punën e zyrtarëve policorë” ka theksuar rreshterja policore

Ish drejtori i përgjithshëm i policisë së Kosovës, njëherit deputet në Kuvendin e Kosovës, Rashit Qalaj, duke vlerësuar punën dhe përkushtimin e autores ka rikujtuar bashkëpunimet në të kaluarën, për të cilat është investuar me besim të plot në mënyrë reciproke vetëm e vetëm në të mirë të organizatës.

“Autorja e librit, Mihane Hoxha, është njeriu që është duke punuar vazhdimisht që të promovojë punën e policisë së Kosovës. Jam shumë i nderuar që jam sot në mesin tuaj, në ambasadën për mua më të mirën në botë -Ambasadën e Shqipërisë, e cila na ka sjellë këta fëmijë këtu që së bashku me autoren e këtij libri të mrekullueshëm për të ardhmen e vendit të jemi bashkë dhe themi se sa të kemi njerëz si Mihane Hoxha e cila shkruan për sigurinë e vendit, e cila iu përkushtohet heronjve të vendit, për një jetë më të sigurt për qytetarët e Kosovës, që fëmijët tanë të ndihen më të sigurt. Dhe, mos të harrojmë heronjtë tanë kanë lënë pas familje, kanë lënë pas fëmijë dhe jam shumë i sigurt që kanë lënë pas policë të ardhshëm të cilët do të vazhdojnë punën e babit, nënës, të cilët kanë rënë në krye të detyrës. Besoj që ish kolegët e mijë nga Policia e Kosovës, duhet të ndihen krenar që zonjusha Mihane Hoxha, vazhdimisht flet për uniformën e shenjtë të institucionit të shenjtë të policisë së Kosovës. Jam shumë i kënaqur që kemi pas fatin, sa kam qenë drejtor i përgjithshëm i policisë së Kosovës së bashku me stafin tim, të punojmë bashkërisht dhe t’i ofrojmë qasjen e duhur autores së librave për policinë e Kosovës, në të gjitha çka ka pas nevojë”, ka treguar Rashit Qalaj.

Image

Vetëdijesimi i fëmijëve të Kosovës për dashurinë dhe besimin ndaj policisë sonë (të Kosovës)

“Kur e mora dorëshkrimin e autores, më bëri përshtypje leximi i këtij libri që në shikim të parë. Hana e madhëron veten me përkushtimin ndaj policisë së Kosovës përmes shkrimit të saj. Dedikimi i këtij libri për fëmijët tanë, për vetëdijesimin e tyre që të mos kenë frikë nga policia jonë dhe përmes tregimesh, ajo bindshëm flet se si duhet të bashkëpunohet me policinë e Kosovës, në mënyrë që edhe shteti, edhe ligji, të funksionojnë sa më suksesshëm e më me vigjilencë. Tregimet e Hana Hoxhës janë aq joshëse për moshën fëmijërore, saqë çdonjëri mendoj se do ta lexojë me ëndje dhe do ta ketë besimin edhe më të madh ndaj policisë duke u forcuar çdoherë e më shumë besimi i tyre ndaj policëve dhe të fillojë bashkëpunimi me ta, po edhe pastaj prej fëmijëve, të vazhdojnë edhe të rriturit. Përmes shkrimeve, autorja tregon ngjarje të cilat japin mesazhe të shumta, mesazhe të cilat përcillen prej personazheve e që janë vetë fëmijët e policët, aty – këtu janë prezentë edhe prindërit. Mosorientimi i fëmijëve në cakun e duhur, brengosja e shokëve dhe zgjidhja e problemit përmes bashkëpunimit me policinë e Kosovës, dashuria dhe mirëkuptimi i tyre për brengosjen e fëmijëve, gëzimi i tyre kur ua zgjedhin problemet, po edhe kur janë mirënjohës ndaj sjelljeve humane të tyre (p.sh. Gjetja e portofolit dhe dorëzimi në polici), ëndrra e Anës për t’u bërë police, mosrealizimi i drejtpërdrejt i dëshirës së saj, por edhe gjetja e shtegut që sërish të jetë bashkëpunëtore e Policisë së Kosovës, e bëjnë çdo fëmijë që të ketë një opinion pozitiv ndaj policisë të cilën të gjithë ne e kemi pasur vetëm ëndërr, pra, Policia e Kosovës. Gjuha e autores është e pasur dhe e kapshme për çdo moshë e sidomos pikërisht për yllkat e për fatosat të cilëve edhe u është dedikuar ky libër.
Çfarëdo që them më shumë, bëhet e tepërt, përveçse më mbetet që Hanës t’i uroj suksese edhe më të mëdha në krijimtarinë e saj letrare. Të tjerat i mbeten lexuesit që t’i vlerësojë nga këndvështrimi i tij” – Flora Peci, redaktore e librit.

Image

“Heronjtë e kaltër” motivim për të gjithë brezat

“E lexova. U kënaqa. U pasurova. E shijova. Hana jonë mendon, flet, vepron pozitivisht, e frymëzuar dhe e motivuar në përditshmërinë tonë, me një tematikë sa delikate, aq edhe të duhur dhe të qëlluar, lidhja e fëmijëve tanë me policinë tonë, si temë boshte e këtij shkrimi dhe trajtimi figurativ dhe domethënës.
Dikush tha i mërzitur me ironi: Nuk ka shqiptar të mirë. Tjetri iu përgjigj me cinizëm: si nuk ka? I treti ndërhyri dhe tha: Po, shqiptarë të mirë janë vetëm ata që kanë vdekur. Hana, pas librit të ilustruar, “Duke ndjekur fluturat”, shqip dhe anglisht, 2022, doli edhe me botimin e dytë të këtij lloji, “Heronjtë e kaltër”, kësaj here në tri gjuhë, shqip, anglisht dhe serbisht, me dy elemente: kushtuar fëmijëve tanë si dhe policisë së Kosovës.

Ky trajtim artistik, me një anë është mbjellja e farës së mirë në mendjen dhe zemrën e pafajshme të fëmijëve, që dikur ishin të keqtrajtuar dhe terrorizuar, që nuk kishin të drejtë në jetë, në lindje, në shkollim, në lojë, në liri, në fëmijëri, ndërsa tash pranojnë dhe jetojnë ndryshimin rrënjësor: policët e Kosovës janë për fëmijë dhe për ne “Heronjtë e kaltër” ose edhe më mirë “engjëjt e kaltër”. Ndryshimi i dytë është atmosfera, besimi, kujdesi, bashkëpunimi, dashuria, që i bënë ata të lumtur, që të rriten pa trauma dhe drojë, në paqe, në liri, nën kujdesin dhe mbrojtjen e të gjithëve, veçanërisht të policisë. Hana Hoxha lufton kundër pesimizmit dhe defektizmit tonë të theksuar: nuk jemi askush, nuk dimë asgjë, nuk duam, nuk mundemi …, që është bërë gati refren popullor, shpesh si botëkuptimor, duke kapluar dhe rrënuar vrullin dhe vullnetin për jetë dhe punë, pra, vlerat tona historike dhe tradicionale. Kështu fëmijët, rinia dhe familjet tona, po “infektohen”, duke ikur prej vetvetes dhe të vërtetës, duke iu nënshtruar lodhjes, depresionit, nihilizmit, asgjësimit të vetvetes dhe të tjerëve, në kërkim të ndonjë njeriu dhe vendi “ndryshe”, diku jashtë Kosovës. Këtë tematikë negative guximshëm e lufton dhe dëbon Hana edhe nëpërmjet këtij botimi, për të parashtruar vlerat e mirëfillta dhe perspektiva:

Ylli, që në përvjetorin e lindjes së tij, përjeton që edhe Policia e Kosovës ka një ditë apo datëlindje, që përputhet me festën e tij, mu me 6 shtator;

Humbja apo gjetja e portofolit (takulinit) apo kuletës, me para dhe dokumente, që fëmija – Tauna dhe Florenti, e dorëzon në stacionin më të afër policor, sepse ishin edukuar dhe motivuar me “edukatë të lartë, andaj më lejoni t’ju përgëzoj për këtë gjest të madh njerëzor.”, si shembull dhe dëshmi për t’u ndjekur.

Ana, e cila me aq dëshirë ëndërronte të jetë pjesë e policisë, por nuk pranohet.

Megjithatë ajo mbetet adhuruese dhe mike, bashkëpunëtore e tyre, si gazetare, ftesë dhe qortim për të gjithë ne që të kërkojmë dhe gjejmë forma të ndryshme të bashkëpunimit me të gjithë, në rastin tonë me policinë e Kosovës

Me figurën e Yllit paraqitet përputhja dhe rritja e përbashkët e policisë së Kosovës dhe fëmijëve tanë. Te Tauna dhe Florenti vjen në shprehje ndërgjegjja e pastër, nderi, si dhe bashkëpunimi me polici. Te Ana, përfaqësohet ndjenja e qytetarit të ndërgjegjshëm, që nuk udhëhiqet vetëm nga interesi personal, familjar, grupor, partiak, por nga e mira e përbashkët, duke mundur hidhërimin, mllefin, zemërimin, në kërkim dhe gjetje të formave të reja të bashkëpunimit dhe të bashkëjetesës.

Image

Sikurse lulet nuk mund të rriten pa dritë, diell dhe ujë, prandaj kujdes dhe dashuri, ashtu edhe fëmijët nuk mund të rriten, zhvillohen, edukohen, të jenë njerëz të drejtpeshuar në familje dhe në shoqëri, pa pasur kujdes, siguri, mbi të gjitha dashuri, si baza të jetës së tyre dhe jetës tonë. Shteti i vogël dhe i bukur i Kosovës, jemi ne, është “djepi” ynë, ku kemi lindur dhe jemi rritur. Tradita jonë: nuk ka shtëpi pa pleq dhe fëmijë, ose mjerë ajo shtëpi që nuk ka pleq dhe fëmijë, është e shenjtë, jetësore, që na ka bërë të mbijetojmë në batica dhe zbatica shekullore dhe të vijmë deri të Shteti i Kosovës, me paqe, liri, demokraci. Tash kemi shkolla, parqe, sheshe, lëvizje, jetë, hetohet gjallëri, mirëpo edhe zbrazëtia, ulja e dukshme e lindjeve, rritja e shkurorëzimet, largimi i rinisë prej Kosovës, pleqtë dhe plakat të vetmuar, mungesa e kujdesit, sidomos e dashurisë për fëmijë dhe të moshuar. Me pak fjalë: na mbyti lakmia, mërzia dhe pagjumësia!

Hana Hoxha i “prek” me fjalë dhe zemër këto plagë, duke ofruar zgjidhe fatlume: në investimin tonë në fëmijë dhe në rini, jo në kotësi dhe marrëzi, lakmi dhe pasuri, në karrierizëm, në epshe, në keqpërdorime dhe keqtrajtime, por në krijimin e marrëdhënieve të reja ndërnjerëzore, të udhëhequr gjithnjë na e vërteta dhe dashuria.
Autores tashmë të njohur dhe të afirmuar, Hana Hoxhës, urime dhe përgëzime, suksese në jetë dhe në krijimtari – veprimtari! Ta kultivojmë kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë, si parakusht për lumturi dhe dashuri” – Dr. Don Lush Gjergji./Syri.net

Image
Image
Image
Image
Image