Berisha: Kosova nuk do të mund të preket më asnjëherë nga Serbia

Kosova nuk do të mund të preket më asnjëherë nga Serbia. Serbia nuk mund të nënçmojë më ekzistencën e shtetit të Kosovës. Kështu thotë Elmi Berisha, kryetar i organizatës shqiptare “Vatra”, në Amerikë, i cili thotë se po i përcjellin me vëmendje të shtuar zhvillimet e fundit dhe kërcënimet e ndryshme të Serbisë.

Elmi Berisha ka qenë përfaqësues special i Kosovës në Zyrën e senatorit amerikan Bob Dole në Washington, i emëruar nga presidenti Rugova. Në shënimin e 18 vjetorit të vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova, Berisha e cilëson atë si lider vizionar dhe një ndër figurat më të ndritura të kombit.

Presidenti Ibrahim Rugova kujtohet edhe nga shqiptarët në mërgatë, në veçanti nga ata në SHBA. Në 18 vjetorin e vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova, ish përfaqësuesi i tij në Zyrën e senatorit Bob Dole,  Elmi Berisha, thotë se Ibrahim Rugova ka qenë ndër figurat më të ndritura të kombit shqiptar.

“Figura e presidentit Rugova është ndër më të ndritshmet në historinë tonë, duke filluar nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu, e shenjta Nënë Terezë e deri te familja Jashari dhe gjithë gjaku i derdhur shqiptar për lirinë e Kosovës dhe popullit tonë. Prandaj figura më e rëndësishme e shtetndërtimit dhe krijimit të një simpatie nga bashkësia ndërkombëtare, kryesisht nga SHBA, si rolin kyç, rolin kryesor e ka pasur presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova”, thotë Berisha.

Ai thotë se vizioni i presidentit për pavarësinë e Kosovës dhe ndërtimin e shtetit është realizuar kryesisht, edhe pse duhet të punohet në vazhdimësi.

Në SHBA këtë vit do të ketë zgjedhje presidenciale dhe fal një përvoje tashmë të gjatë, shqiptaro amerikanët do të jenë afër me institucione të rëndësishme amerikane, të cilat nuk do të ndryshojnë asnjëherë qasje për Kosovën dhe për shqiptarët, thotë Berisha, në një intervistë për Radio Kosovën.

Elmi Berisha tani drejton organizatën shqiptare “Vatra”, si shqiptari i parë nga Kosova që është zgjedhur në krye të kësaj organizate. Vatra dhe shqiptaro amerikanët po përcjellin me vemendje të shtuar zhvillimet e fundit në Kosovë dhe kërcënimet që vijnë nga Serbia. z. Berisha thekson se Kosova është e paprekur nga Serbia

“E theksoj se në baza ditore ne jemi në bashkëpunim me miq tanë në Uashingtonin zyrtar, në nivele të ndryshme, të seksioneve të ndryshme. Po. Ne po e përcjellim me vëmendje të shtuar, sepse të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur në muajt e fundit janë shumë serioze. Por, dua të lë këtë fillimvit me optimizëm tek shqiptarët e Kosovës, se Kosova është e paprekur nga Serbia, edhe pse do të ketë tendenca që të krijojë huti e amulli në proces, apo edhe të tentojë të krijojë disa benificione që janë të pakuptueshme edhe për ta. Serbia thjeshtë do të tentojë të bëjë një shkëputje në veri të Kosovës. Por, unë besoj, mendoj dhe e di që ajo nuk do të ndodhë”, thotë Elmi Berisha.  

Megjithatë ai thotë se populli I Kosovës duhet të punojë e të jetë i përgatitur gjithmonë. Por, rithekson se Serbia nuk ka gjasa ta nënçmojë më ekzistencën e shtetit të Kosovës.

“Ne gjithmonë duhet të jemi të përgatitur, siç edhe jemi dhe po punojmë çdo ditë që të jem në këtë nivel. Nuk besoj që Serbia ka shansa tash e tutje të na nënçmojë, sepse ne shumë shpejt po përgatitemi t’i dalim zot vetës dhe kemi miq tanë që nuk na lënë asnjëherë vetëm, e këto janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Elmi Berisha paralajmëron  hartimin e një platforme të përbashkët kombëtare që do të mbante shqiptarët bashkë,për çështje madhore, duke analizuar pozitën aktuale të shqiptarëve, ku do të jenë nesër dhe pas një periudhe më afatgjatë. Ky ka qenë edhe vizion i presidenit Rugova, thotë Elmi Berisha, ndër bashkëpunëtorët e ngushtë të presidentit Ibrahim Rugova./rtkradio