Anekdota popullore shqiptare: Unë kujtova se po thue: “A e pa shqiponjën?”

Njëri  e merr të birin dhe e qon në mal për t’i parë shtazët e egra se si po jetojnë. Këqyrin e këqyrin dhe dikur e panë një shqiponjë qysh e kish zënë një lepur dhe ishte duke e ngrënë. Pakë më larg e panë edhe një dhelpër që ishte bërë pupërr dhe shikonte.

Kur fluturoi shqiponja, dhelpra u afrua te mbeturina e lepurit dhe filloi e po i merr erë e po ja lëpinë gjakun… Kur i shikuan mirë, plaku e muarr të birin dhe u nis për shtëpi. Duke ecur rrugës, priste çfarë po i thoshte i biri. Masë një copë rrugëtim, djali po i thotë:           

-Babë, a e pa dhelpën si e l’pike gjakun?         

   Babës nuk i erdhi hiq mirë dhe ja ktheu me hidhërim:     

       – Eu, bre bir, eu! Unë kujtova si po thue: “A e pa shpinonjën si e preu leprin” e jo “dhelpën si e l’pike gjakun”. Se unë kam qef t’bahash si shqiponjë…