Zbulohet ilaçi që “ndalon” orën biologjike: “Do të kthente një 80-vjeçar në moshën 26-vjeçare”

Terapeutiku, i quajtur E5, ështv zhvilluar nga gjaku i një derri të ri dhe u është injektuar minjve të vjetër, bëhet e ditur në revistën GeroScience.

“E5, i cili përbëhet nga nanogrimca komplekse dhe plazma e re e marrë nga derrat, mund të ‘ndalojë orën biologjike’ të minjve me pothuajse 70 për qind,” mburren studiuesit, përfshirë ata nga Universiteti i Kalifornisë në Los Anxhelos (UCLA), por edhe  themeluesit, pronarët, punonjësit dhe konsulentët e kompanisë bioteknologjike Yuvan Research Inc, e cila punon në zhvillimin e trajtimeve përtëritëse, shkruan The Independent, transmeton Dijasot.com

Nëse këto rezultate do të zbatoheshin edhe tek njerëzit, do të thoshte se ora biologjike e një 80-vjeçari do të “rikthehej” në moshën 26-vjeçare, thonë shkencëtarët.

“Në fillim, nuk isha shumë i sigurt në efektet e thella epigjenetike të terapisë E5 në përtëritje. Por gjetjet tona mbështeten fuqimisht nga studimet paralele të brejtësve nga laboratorë të ndryshëm”, tha bashkautori i studimit Steve Horvath.

Në fakt, pasi trajtimi i gjakut të derrit është aplikuar në inde të ndryshme të minjve, ka rezultuar se ndryshon moshën biologjike të gjakut, zemrës dhe mëlçisë së kafshëve.

“Trajtimi më shumë se përgjysmoi moshën epigjenetike të gjakut, zemrës dhe indeve të mëlçisë”, theksuan ata në studim.

Përveç kësaj, u regjistrua një efekt “më pak i theksuar, por statistikisht domethënës” i rinovimit të hipotalamusit të trurit.

“Kemi qenë dëshmitarë të një përmirësimi progresiv në funksionimin e organeve të përmendura, si dhe kemi vërejtur përmirësime konjitive dhe të sjelljes. Në përgjithësi, trajtimi i marrë nga plazma e derrave të rinj ngadalëson ndjeshëm plakjen tek minjtë dhe është efektiv si te meshkujt ashtu edhe te femrat”, shtojnë shkencëtarët, të cilët nuk e fshehin optimizmin e tyre, megjithëse trajtimi i ri ende nuk është testuar në njerëz.

Në të ardhmen, thonë ata, mund të ekzistojë mundësia e përdorimit të përtëritjes për të reduktuar sistematikisht rrezikun e shfaqjes së sëmundjeve, në vend të trajtimit të sëmundjeve individuale.

“Sigurisht që gjithmonë ka skepticizëm në këtë lloj hulumtimi. Në fakt, shënuesit e plakjes së vërejtur tek minjtë mund të ndryshojnë ndjeshëm në vlera dhe modele në krahasim me njerëzit. Ajo që është e dëmshme për një specie mund të jetë e parëndësishme për një tjetër”, thonë ata, duke theksuar se kjo mund të jetë arsyeja pse shumë trajtime përtëritjeje nuk “transferohen” në mënyrë efektive nga brejtësit te njerëzit./D.G./Dijasot.com