Zbulohet Abetarja dhe Gramatika e rrallë shqipe në Arkivin e Bibliotekës Kombëtare të Bullgarisë

Kopje të rralla të librave në gjuhën shqipe janë zbuluar se gjenden në Arkivën e Bibliotekës Kombëtare të Bullgarisë.

Me rastin e përvjetorit të Kongresit të Manastirit (1908), këto dy kopje tejet të vlefshme për historikun gjuhësor të shqipes janë publikuar për herë të parë, në rrjetin social të diplomatit të Republikës së Kosovës, në Sofje.

Këto dy kopje unike në gjuhën shqipe janë botuar më shumë se një shekull më parë në kryeqytetin bullgar, Sofje, raporton Dijasot.com

E para “Abetarja” është botuar në vitin 1899, nën kujdesin e patriotëve shqiptarë Kristo Luarasi dhe Kostë Trebicka, e dyta është një botim autentik i gramatikës së gjuhës shqipe të njohur si “Folmarmja Shqype”, botuar më 1912.

Botimet janë realizuar në shtypshkronjën “Mbrothesija”.

“Këto kopje unike te “Abetare” dhe “Folmarmja Shqype” u botuan ne gjuhën shqipe para më shumë se një shekulli në Sofje-Bullgari. Botimet u realizuan në shtypshkronjën “Mbrothësija”, ndërsa aktualisht janë pjesë e Arkivit të Bibliotekës Kombëtare të Bullgarisë!”, ka shkruar diplomati kosovar, ndërsa ka bërë të ditur se foto është realizuar nga  V. Shano.

Kristo Luarasi  dhe Kostë Trebicka ishin veprimtar të Rilindjes Kombëtare.  Të dy së bashku, me nismën dhe përpjekjet e shumta të shoqërisë “Dëshira”, themeluan në Sofje (Bullgari) më 1897,  shtypshkronjën të cilës i vendosën emrin “Mbrothësia”.

Shtypshkronja “Mbrothësia” shtypi abetare, gramatika, libra te këndimit dhe te shkencave. Kristo së bashku me Kostë Trebickën dhe Mit’hat Frashërin arriti të botojë Ditërëfenjës-in ose Kalendarin Kombiar që u botua gati çdo vit nga 1897 deri më 1928. Shtypshkronja pati meritë për përhapjen e letrave shqipe dhe botimin e 37 vëllimeve që nga vëllezërit Frashëri, kristomatitë e përgatitura nga Gjergj Qiriazi, “Valët e Detit” te Spiro Dines, Hoxhë Vokës, etj./Dijasot.com