Rrëfimi i Shukrije Ramës për vrasjen e bashkëmoshatares

“Të nderuar shikues mirëmbrëma! Po ndiqni Ditarin 2, në Radio Televizionin e Prishtinës. Po fillojmë edicionin e lajmeve me një ngjarje të hidhur. Në demonstratën gjithë-popullore, që u organizua sot në Lupç të Podujevës, me ç’rast mijëra të rinj e të reja ishin mbledhur për të protestuar për lirinë e Kosovës, policia serbe vrau gjashtëmbëdhjetë vjeçaren Elfete Humolli!”

Shukrije RAMA

Lajm drithërues, tmerrues dhe tragjik i së enjtes së një shkurtit të njëmijë e nëntëqind e nëntëdhjetës. U shtanga. Por jo vetëm unë. U shtang e tërë familja ime, që me padurim i prisnim lajmet e orës 19:30. Prisnim të fillojë Ditari 2 i mbrëmjes në RTP, me Drita Gërmizajn apo Mustafë Muçajn, të cilët informonin se çfarë po ndodh në Kosovë nga represioni serb. Sikur bota u rrokullis brenda meje. Polica serbe paska vrarë një bashkëmoshatare timen. Ky lajm i hidhur më  qëlloi si sëpata në zemër dhe më la gjurmë të përjetshme. Ndihesha keq shpirtërisht. Nuk e dija se ku më dhembte e as çka kisha humbur. Edhe pse e re në moshë, kuptova se policia serbe, nuk njeh moshë. Prej atij momenti, ndihesha e rrezikuar, e pasigurt. Kjo që i ndodhi bashkëmoshatares sime ka mundur të më ndodhë edhe mua – mendoja me vete. E trishtuar, nuk bëra dot gjumë në sy.

Të nesërmen, kur shkova në shkollë, vura re se nuk isha unë e vetmja që më kishte shqetësuar lajmi për vrasjen e Elfete Humollit. Në ambientet e shkollës mbretëronte një heshtje. Një qetësi mortore në të cilën dergjen damarët e zemrës. Si nxënës të rinj, ishim të shkujdesur nga çdo e papritur që rrinte varur brenda heshtjes dhe acaronte jetën në çdo çast.

Objektit të vjetër të Shkollës së Mesme të Mjekësisë, që mësonim  ne, nxënësit shqiptarë, (në të riun mësonin nxënësit e nacionalitetit serb), dukej sikur toka ia lëkundte themelet. Të shqetësuar, të frikësuar, të vrarë në shpirt, të gjitha klasat organizuam të blejmë kurora dhe të shkojmë për homazhe në mënyrë të organizuar, te vendi ku ishte varrosur Elfete Humolli. Dhe kështu ndodhi. Të gjithë nxënësit, nxorëm nga xhepi nga pak para që kishim, i grumbulluam, dhe blemë kurora me to.

Ishim rreth 300 nxënës të shkollës që u nisëm në kolonë për te varri i Elfete Humollit. Kolona ishte e qetë, e heshtur, e trishtuar, plot dhembje. Nuk dëgjohej asnjë gjë. Dëgjohej vetëm zhaurima e hapave tonë që tingëllonte sikur thyerje kërcejsh misri të gjatë. Trandej rruga nga turma e nxënësve që dukej si rrjedhë e turbullt lumi a gjarpër gjigant. Kur arritëm te Cigllana (kështu e quanim në atë kohë Fabrikën e Tjegullave në Prishtinë) – ndaluam. Jo se u lodhëm. Jo se patëm dëshirë të ndalemi. Na ndaloi patrulla e policisë. Na dolën në pritë policët serbë, të cilët  dukeshin të bardhë nga fytyra por jo edhe nga ndërgjegjja.

Na u dha urdhri që të kthehemi nga jemi nisur. Ne  nuk dëshironim të kthehemi. Gjysmë orë jemi ballafaquar me policë duke u përpjekur për t’i bindur se vetëm do të bëjmë homazhe te varri i Elfete Humollit, të vrarë ditë më parë. Policët serbë flisnin me disa tone të ashpra larg nesh. Nuk i dëgjonim se çfarë flisnin, por i dëgjonim radio-lidhjet e tyre, të cilët, në veshët tanë, zhurmonin sikur pllakë gramafoni apo shirit i ngecur në vend. Planifikonin të përdorin dhunë për të na shpërndarë. Aso kohe, ende nuk kishte ndodhur largimi nga puna i policëve të nacionalitetit shqiptar, prandaj në mesin e policëve kishte edhe policë shqiptarë. Një polic i nacionalitet shqiptar, na u ofrua qetë dhe tha: sikur të mos isha sot në detyrë, edhe unë do t’i bashkëngjitesha kësaj kolone. Më dhemb shpirti për vrasjen e vajzës së pafajshme. Por, ju lus që të shpërndaheni të qetë sepse policia serbe po planifikon që në mënyrë të dhunshme t’ju shpërndajë. Të gjitha këto fjalë polici shqiptar i thoshte me zë të ulët që të mos dëgjohej nga kolegët serbë.  

Pas disa bisedave të tjera, kolona u detyrua të zmbrapsej. Unë mbeta me Donikën dhe Muberanë. Kishim në dorë kurorën e klasës sonë, paraleles I/2. Nuk dinim kah t’ia mësynim. Nuk dinim çfarë të bëjmë me kurorë. U kujtuam për një kohë, dhe më pas na ra ndër mend se afër shkollës sonë, pranë Morgut të Spitalit të Prishtinës, gjendej një objekt  i pa-ndërtuar. Objekti nuk kishte mure. Kishte vetëm shtylla dhe shkallë. U nisëm në drejtim të atij objekti. Edhe pse ishte rrezik, ne u ngjitëm shkallëve të këtij objekti, me ç’rast ndaluam në katin e mesëm, ku në një cep të këtij kati e mbështetëm kurorën për ta ruajtur deri sa të gjenim një zgjidhje për ta dërguar në vendin e duhur.  

Ndonëse të reja në moshë, ishim në një gjendje të tillë ku na dukej se në çdo rast, shpirtin na godiste me forcë një gur i rëndë dhe nuk po gjenim dot rrugë për t’i ikur asaj goditjeje të përbindshme. Ky tundim nuk na vinte nga lodhja. Na vinte nga mendimet. Nga mendimet e llahtarshme që na rrinin kacavarur në tërë qeniet tona.

Të tria u kthyem në shtëpitë tona. Meqë ishte situatë e ndjeshme, unë dhe Donika nuk dinim se çfarë ka ndodhur me kurorën. Nuk e kishim as luksin e telefonave që të merremi vesh. Të nesërmen, pasi shkuam në shkollë, u takuam me Bubën (Muberanë). Ajo na tregoi se me mamin e saj  (Tezen Shefkije), në orët e pasdites, ishin shkuar te objekti fantazmë, e kishin marrë kurorën dhe tinëzisht e kishin dërguar me makinë të varri i Elfete Humollit. E kishin dërguar tek vendi që i dedikohej kurora. Disi morëm frymë më lehtë. Na u duk që hoqëm një barrë të rëndë.

Që nga viti 1990, sa herë shkoj në Besianë (Podujevë), mirëseardhjen e parë e marr nga varri i Elfete Humollit, i cili gjendet buzë rrugës që shpie në Llap. Varri saj gjithmonë shoqërohet me kurorë të freskët. Kurorë e cila nuk më është larguar nga mendja, tash e tridhjetë vjet. /Dijasot.com

Elfete Humolli