Janë të rralla shkollat në Shqipëri si dhe Kosovë, apo për të mos thënë nuk ekzistojnë fare që kanë një Muze historik brenda tyre.
Me iniciativën dhe angazhimin e mësimdhënësit të historisë, Rexhep Selimi, shkolla “prof.Ibrahim Kelmendi” në Preshevë e ka tashmë një muze të tillë.
Për këtë përkushtim të tij, Selimi, është falënderuar nga drejtoresha e kësaj shkolle, Fitore Sahiti.
Ajo ka vlerësuar mësimdhënësin Selimi, i cili dhe pas pensionimit vazhdon të kujdeset për pasurimin e muzeut me dëshmi dhe dokumente tjera.

“Të nderuar miq të shkollës. Dua të bëj një falënderim: Rexhep Selimi është ish arsimtari i historisë në shkollën tonë që ka kontribuar në hapjen e Muzeut të Shkollës dhe të cilin kam pasur fatin ta kem kujdestar.Edhe pse në pension, ai ende po interesohet për Muzeun dhe sot më solli disa shënime të vlefshme për të. Unë e falënderoj shumë arsimtar Rexhepin në emër të shkollës dhe i uroj shumë shëndet! “, ka shkruar drejtoresha Sahiti në një postim në rrjetin social Facebook.
Selimi pas 42 vitesh punë në arsim doli në pension duke lënë për gjeneratat e ardhshme modelin jo vetëm të një mësimdhënësi të historisë, por edhe të një punëtori të pasionuar për mbledhjen, ruajtjen dhe arkivimin e dëshmive historike jo vetëm në Luginë të Preshevës.
Eksponatet që përbëjnë muzeun e shkollës “Ibrahim Kelmendi” në Preshevë, nuk janë i vetmi kontribut i tij. Po ashtu, Selimi ka botuar edhe një monografi për arsimin shqip në Preshevë, si dhe ndërmarrë dhe shumë iniciativa tjera për arsimin në përgjithësi./Dijasot.com
