Universiteti “Ukshin Hoti” shpallë konkurs për pranimin e studentëve në vitin e parë të studimeve për vitin akademik 2024/2025

“Universiteti “Ukshin Hoti’’ Prizren, mbi bazë të konsideratave humane, kandidatëve me nevoja të veçanta, me rastin e provimit pranues do t’ua shtoj nga 5 pikë bonus. Statusi i kandidatëve me nevoja të veçanta duhet të dëshmohet me certifikata përkatëse, të lëshuar nga institucionet gjegjëse.

Senati i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren ka shpallur konkurs për pranimin e studentëve në vitin e parë të studimeve në nivelin baçelor për vitin akademik 2024/2025.

“Senati i Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren, në bazë të kompetencave të përcaktuara sipas nenit 99 të Statutit në mbledhjen e mbajtur më 5.7.2024 si dhe plotësim ndryshimit të mbledhjes përmes deklarimit elektronik me datë 15.7.2024 dhe ka miratuar propozimet e njësive akademike për numrin e studentëve që do të pranohen në vitin akademik 2024/25, dhe ka  miratuar kushtet dhe kriteret për regjistrim në studimet themelore – baçelor. Propozimet e numrit të studentëve pas miratimit nga Senati, gjithashtu janë aprovuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI)”, thuhet në njoftimin e këtij Universiteti.

Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren, në vitin e parë të studimeve, në afatin e parë të konkursit për vitin akademik 2024/2025, do të regjistrojë 1275 studentë, prej të cilëve 1275 studentë të rregullt.

Ndërsa në kuadër të numrit të përgjithshëm të përcaktuar si në paragrafin 1, bazuar në UA nr. 09/2016 të MASHTI-it, Universiteti do të regjistrojë deri në 12 %, përkatësisht deri 154 studentë të rregullt nga komuniteti jo shumicë. Kuota prej 12% të vendeve të rezervuara për regjistrim të studentëve nga komuniteti jo shumicë do të shpërndahet në mënyrë proporcionale sipas përqindjes së numrit të përgjithshëm të studentëve për secilin program të fakulteteve veç e veç.

“Në Universitet, në bazë të kuotave të përcaktuara nga MASHTI-i, mund të pranohen deri në 5% përkatësisht deri 65 kandidatë të cilët kanë lindur në vendet jashtë Kosovës (Kandidatë nga Shqipëria,Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Presheva, Bujanoci dhe Medvegja 5%), ndërsa shkollimin e mesëm e kanë mbaruar në Republikën e Kosovës, do t’iu nënshtrohen kushteve të njëjta për pranim si kandidatët nga Kosova”, thuhet po ashtu në njoftim.

Përjashtimisht kushteve të veçanta të përcaktuara për kandidatët si në pikën 2 dhe 3, nëse të njëjtit arrijnë të kualifikohen brenda numrit të paraparë si në pikën 1, atëherë këta kandidatë nuk do të llogariten në kuadër të kuotës së rezervuar.

“Universiteti “Ukshin Hoti’’ Prizren, mbi bazë të konsideratave humane, kandidatëve me nevoja të veçanta, me rastin e provimit pranues do t’ua shtoj nga 5 pikë bonus. Statusi i kandidatëve me nevoja të veçanta duhet të dëshmohet me certifikata përkatëse, të lëshuar nga institucionet gjegjëse.

Universiteti nuk do të mundësojë lehtësira për pranim nëse njëri prej kandidatëve binjakë nuk arrin të pranohet në programin e njëjtë apo të ndryshëm me binjakun tjetër”.

Të drejtë pranimi në Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren kanë të gjithë kandidatët kosovarë, të cilët shkollimin e mesëm e kanë përfunduar në njërën prej shkollave publike apo shkollave private të licencuara në Republikën e Kosovës dhe që e kanë diplomën për shkollimin e kryer.

Në Universitet mund të pranohen edhe kandidatët nga shtetet e tjera në kushte të njëjta konkurrimi me kandidatët nga Kosova.

Sipas konkursit të publikuar kandidatë jo kosovarë konsiderohen kandidatët të cilët shkollimin e mesëm e kanë mbaruar jashtë Kosovës.

Vendimi për njohjen dhe për barasvlerën e diplomës merret nga MASHTI-i.

Universiteti do të sigurojë përgatitjen e testeve për provim pranues në gjuhën në të cilën kandidatët kanë përfunduar shkollimin paraprak ose/dhe për të cilën deklarohen paraprakisht në formularin për vetëdeklarim, përveç në rastet specifike ku testi do të përgatitet në gjuhën në të cilën zhvillohet programi (p.sh. në programet e Fakultetit të Filologjisë).

Njësitë akademike përkatëse me rastin e aplikimit të kandidatëve nga komuniteti jo shumicë bëjnë verifikimin e dokumentacionit pedagogjik duke përfshirë dëftesat dhe diplomat në gjuhën në të cilën kandidatët kanë përfunduar shkollimin e mesëm.

Kandidatët për pranim si studentë të Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren në vitin akademik 2024/25 nuk mund të konkurrojnë më shumë se në një fakultet apo program./Dijasot.com