Zhvillimi i turizmit vitet e fundit në Gjirokastër dhe çelja e bizneseve të reja, kryesisht në zonën e pazarit karakteristik ka ndikuar për hapjen e vendeve të punës për punësimin e të rinjve .
Një prej tyre është edhe studentja 21 vjeçare e degës së Infermjerisë Anxhela Ballia. Ajo thotë se prej 3 vitesh punon si banakiere në një prej strukturave të shërbimit në zonën muzeale.
Dita e Anxhelës është mjaft e ngarkuar sepse i duhet të ndjekë studimet universitare, duke mos patur mundësi t’i kushtoj më tepër kohë vetes si bashkëmoshataret e saj , por ajo thotë se pavarësisht vështirësive kënaqësia që merr duke fituar të ardhurat e saj e justifikon lodhjen e përditshmërisë.
Ndërsa thotë se nuk do t’i ndahet punës Anxhela ka një mesazh për bashkëmoshatarët e saj.
“Të punosh nuk është turp. Mund të punosh banakier, kamarier, apo si ndihmës të çfarëdo pune që të mund të ndihmosh sadopak prindërit . Ja vlen sepse në fund të ditës do të marrësh ato që dëshiron dhe jo ato që ëndërron”, shprehet ajo.
Dëshira më e madhe e Anxhelës është që të jetoj në vendin e saj dhe pohon se s’ka nevojë të emigroj pasi edhe Shqipëria ofron plot mundësi punësimi./rtsh.al