Testi i Maturës dhe shpërndarja në rrjete sociale/ Qehaja: Administratorët dhe MASHT-i janë përgjegjës

Testi Shtetëror i Maturës dhe Testi i Arritshmërisë në vendin tonë, si formë e vlerësimit të matjes së njohurive të nxënësve, vazhdimisht po përcillet me parregullsi. Nxënësit e klasave të dymbedhjeta arrijnë të kopjojnë në testin e maturës, test ky i cili i matë njohuritë e mësimeve tre vjeçare në këtë cikël mësimor. Ky test viteve të fundit shpërndahet me masë të madhe në grupe dhe faqe në rrjetet sociale.

Eksperti i arsimit Rinor Qehaja, ka treguar për shpërndarjen e testit të Maturës në rrjete sociale dhe kalueshmërinë e tij në Kosovë.

“Çfarëdo të jetë kalueshmëria e testit të maturës, përderisa ka raportime të ripërsëritura për keq administrim atëherë padyshim që cenohet në tërësi validiteti i rezultatit të testimit”, tregoi ai.

Shpërndarja e testeve në rrjete sociale, sipas Qehajës është përgjegjësi e dikasterit të Arsimit dhe administratorëve që kanë për detyrë mbikëqyrjen e qendrave ku mbahet testet.

“Rigoroziteti slektiv, ku një klasë mirë mbikëqyret e tjetra jo, përtej që prezanton rezultate jo të besueshme, është mbi të gjitha padrejtësi ndaj nxënësve. Kur kësaj i shtohet shpërndarja e testit online, me nxënës që kane qasje në telefon në qendër testuese, atëherë padyshim që llogaridhënia bie mbi administruesit dhe MASHT-in. Nëse të njëjtat janë duke u përsëritur ndër vite, atëherë kjo nënkupton që procesi duhet të ristrukturohet në tërësi për administrim më të mirë – në të kundërtën i njëjti debat na përcjell nga viti në vit”, përfundoi eksperti i arsimit Rinor Qehaja për GazetaBlic.

Disa grupe të cilat janë hapur me qëllim të ndihmesës për maturantët në rrjetin social Facebook.