Shpjeguesit
Shumë mësues e njohin jashtëzakonisht mirë materialin që japin mësim, por shpesh kanë njohuri të kufizuara për metodat e mësimdhënies. Ky lloj mësuesi e bazon mësimdhënien e tij në “shpjegimin” dhe “mësimdhënien” dhe ekskluzivisht ua përcjell informacionin nxënësve në këtë mënyrë.
Nëse zhvillohet me stil, entuziazëm, imagjinatë dhe zgjuarsi, klasa e një mësuesi të tillë mund të jetë jashtëzakonisht argëtuese, interesante dhe informuese. Nxënësit dëgjojnë dhe herë pas here mund t’u përgjigjen pyetjeve ose të mbajnë shënime, por në pjesën më të madhe ata nuk përfshihen personalisht në mësim ose nuk sfidohen. Zakonisht nxënësit kanë ushtrime të pavarura në fund të një njësie mësimore.
Ata që përfshijnë
Mësuesit në këtë grup janë gjithashtu jashtëzakonisht të ditur për lëndën dhe materialet. Mirëpo, ata janë gjithashtu të njohur me metoda të ndryshme të mësimdhënies, kështu që janë në gjendje të përdorin teknikat e duhura dhe aftësitë organizative që i ndihmojnë nxënësit të përvetësojnë materialin. ‘Shpjegimi’ është vetëm një nga një numër teknikash që ky lloj mësuesi mund, po edhe s’është e thënë ta përdorë.
Mësues të tillë përpiqen t’i përfshijnë sa më shumë nxënësit në procesin mësimor, t’i aktivizojnë dhe motivojnë ata. Ata bënë shumë përpjekje për të krijuar dhe gjetur aktivitete interesante që do të ndihmojnë për të arritur këtë qëllim, por gjithsesi mbajnë nën kontroll të plotë ngjarjet në klasë dhe rezultatet e të nxënit.
Ata që aftësojnë
Ky lloj u përket mësuesve që kanë guxim të mjaftueshëm për t’u lënë pak kontroll nxënësve. Ata shpesh ua lënë kontrollin e plotë studentëve. Vendimet në klasë diskutohen dhe merren së bashku. Këta mësues besojnë se është detyra e tyre të krijojnë kushte të përshtatshme që do t’u mundësojnë nxënësve të mësojnë në mënyrë të pavarur. Ndonjëherë kjo do të thotë që mësuesit do të përfshihen në një mënyrë më pak tradicionale, d.m.th. ata do të jenë udhërrëfyes, këshilltarë ose burime të informacionit të nevojshëm nëse është e nevojshme. Kur gjithçka shkon sipas planit, kur krijohet atmosferë e favorshme në të cilën nxënësit mësojnë në mënyrë të pavarur, mësuesit bëhen pothuajse të padukshëm.
Këta mësues e njohin materialin dhe metodat, por janë mjaftueshëm të vetëdijshëm se si individët dhe grupet mendojnë dhe si ndihen në klasë dhe në bazë të kësaj ata planifikojnë mësime dhe metoda me synimin për të ndërtuar një marrëdhënie pune produktive dhe një atmosferë pozitive në klasë. Realizimi me sukses i një klase të tillë varet tërësisht nga personaliteti, qëndrimi dhe vullneti i vetë mësuesve.
Sigurisht, ky lloj klasifikimi është shumë i kufizuar dhe është e qartë se i gjithë mësimi nuk mund të ndahet kaq thjesht në tre grupe. Shumë mësues do të gjejnë elemente nga secila kategori në varësi të disponimit, ditës, klasës dhe qëllimeve të mësimit, por ky grupim mund t’ju ndihmojë të mbani mend se çfarë lloj mësimi i jeni ekspozuar ju, çfarë përshtypje ju ka lënë, çfarë lloji i mësuesve jeni tani dhe çfarë lloji do të dëshironit të ishit në të ardhmen.
(Jim Scrivener, Mësoni të mësoni)