Stano: Takimi i kryenegociatorëve në Bruksel nuk ka përfunduar ende

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka deklaruar se takimi mes kryenegociatorëve nga Kosova dhe Serbia me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, nuk ka përfunduar ende.

Përmes Twitter-it, Stano ka thënë se negociatat po vazhdojnë për të gjetur një zgjidhje për krizën aktuale në veri të Kosovës, transmeton Zeri.info.

“Dialogu: Takimi i kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë i lehtësuar nga EUSR Miroslav Lajçak në Bruksel nuk ka përfunduar, negociatat vazhdojnë për të gjetur një zgjidhje për krizën aktuale në veri të Kosovës”, ka shkruar Stano në Twitter.

Në anën tjetër kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se sot se është arritur në parim një marrëveshje ku deri të shtunën Njësia Speciale do të largohej nga veriu paralelisht me barrikadat e banorëve atje. Ai ka treguar se të dy palët do të kenë tetë orë në dispozicion për t’u larguar nga aty.

“Pika e tretë ka të bëjë me heqjen e barrikadave. Sipas kësaj marrëveshje, nëse Serbia e nënshkruan finalisht, të shtunën KFOR-i do të vendos trupat në dy pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak. Pastaj pas disa orëve, Policia e Kosovës do të përcjell shtensionimin e situatës me fillimin e largimit të barrikadave. Për këtë do të kenë tetë orë, të dy palët”, ka thënë Besnik Bislimi para mediave. /Zëri