“South Outdoor Festival” rikthehet më 25-28 maj në Borsh

Fshati turistik i Borshit, në jug të vendit, do të mirëpresë edhe këtë vit “South Outdoor Festival”, një event që jo vetëm promovon turizmin dhe traditën, por gjithashtu gjallëron jetën dhe ndihmon ekonominë e zonës.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro e cila bëri të ditur se, “me verën që po afrohet dhe përgatitjet e fundit për sezonin, bashkë me festivalet që i ndezin shpirtin bregdetit siç është “South Outdoor Festival”, më 25-28 maj në Borsh”.

“South Outdoor Festival” këtë verë do të ofrojë për turistët mbi 40 aktivitete të ndryshme, kampingje, aktivitet nga ajri, deti, ecje në natyrë për turistët e aventurës dhe mjaft aktivitete kulturore, ku përveç bregdetit turistët njihen edhe me historinë dhe trashëgiminë kulturore, raporton Atsh

Gjithashtu do të ofrohen mbi 30 aktivitete për fëmijë me workshop-e, forume dhe lojëra të ndryshme, ku nuk do të mungojnë në mbrëmje koncertet dhe festat nën tingujt e artistëve dhe DJ vendas dhe ndërkombëtarë./Dijasot.com