Njësia Speciale e Policisë së Kosovës pritet të tërhiqet nga pikat e kalimit kufitar në Jarinje dhe Bërnjak të shtunën.
Kryenegociatori kosovar, besnik Bislimi pas takimit në Bruksel, ka bërë të ditur se Njësia Speciale do të zëvendësohet me trupat e KFOR-it, të cilët të shtunën do të vendosen paralelisht me largimin e barrikadave të cilat janë vendosur tash e 10 ditë në Jarinje dhe Bërnjakë, transmeton Zeri.info.
“Sipas kësaj marrëveshje, të shtunën do të vendoset KFOR-i në pikat lartë, e pas disa orëve do të zëvendësohej Policia Speciale, që paralelisht me barrikadat do të largohej nga pikat kufitare”, ka thënë Bislimi nga Brukseli.
Ai ka treguar se të dy palët do të kenë tetë orë në dispozicion për t’u larguar nga aty.
“Pika e tretë ka të bëjë me heqjen e barrikadave. Sipas kësaj marrëveshje, nëse Serbia e nënshkruan finalisht, të shtunën KFOR-i do të vendos trupat në dy pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak. Pastaj pas disa orëve, Policia e Kosovës do të përcjell shtensionimin e situatës me fillimin e largimit të barrikadave. Për këtë do të kenë tetë orë, të dy palët”, ka thënë Besnik Bislimi para mediave. /Zëri