Më 1 dhjetor 1909 u çel në Elbasan e para shkollë e mesme shqipe kombëtare e quajtur deri para pak vitesh si “Normalja e Elbasanit”. “Normalja” mbetet institucioni i parë i përgatitjes së mësuesve në mbarë hapësirën shqiptare e më gjerë.
Me vendim të Kongresit të Elbasanit (aktivitet i rëndësishëm mbarëkombëtar, ngjarje e shënuar në historinë e arsimit), çeli dyert shkolla e parë e mesme shqipe “Normale”. Më datë 6 shtator të vitit 1909, kryesia e Kongresit të Elbasanit i dërgon një letër klubeve “Vllaznia”, “Bashkimi”, shoqërisë “Afërdita” për të zgjedhur “Kryesinë e Pleqërisë së Normales”. Më datë 7 shtator u zgjodh “Pleqësia kujdestare për shkollën e mësojve”, ku bënin pjesë tetë veta: Dervish Beu (kryetar) Hasan Ceka, Lef Nosi, Emin Haxhiademi, Dhimitër Buda, Petër Dodbiba, Dhimitër Paparisto e Ahmet Dakli.
Këshilli Mbikqyrës punoi pa reshtur për zgjedhjen e kuadrit mësonjës. Ai ftoi ajkën e inteligjencës përparimtare shqiptare, personalitete të shquara të kulturës dhe të atdhetarizmës, mësues të njohur si, Qamil Balën nga Gjilani, Bajo Topullin nga Gjirokastra, Aleksandër Xhuvanin nga Elbasani, si dhe Sotir Peçin nga Korça. Në Enciklopedinë e Elbasanit thuhet se, “më 21 tetor të vitit 1909, Këshilli Mbikqyrës jep një zëdhënije ku njoftohej se më 6 nëntor fillojnë regjistrimet. Sipas kësaj zëdhënieje, regjistrimet do të zgjasin 10 ditë dhe në 16 nëntor do të fillojnë mësimet”.
“Në vitin e parë shkollor, nxënësit ishin ndarë në katër klasa, një klasë e nivelit të shkollës fillore, për ato që do të mësonin shkrimin dhe leximin e gjuhës shqipe dhe tri klasa “premtore” që kishin mësime thuajse të një shkolle qytetëse.
Në këto vite dhanë mësim Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Sotir Peçi, Petër Dodbiba, Hasan Mezja, Simon Shuteriqi, Dhimitër Paparisto etj. Pranë “Normales” u ngrit konvikti me 71 nxënës, të cilët ishin dhe me pagesë. Më 8 korrik 1910 u organizua ceremonia e mbylljes së vitit të parë të “Normales”. Në këtë kremtim nxënësve që u dalluan në mësime iu dhanë gjithsej 24 çmime të para, e kështu me radhë. Për vitin 1910-1911 “Normalja” nuk funksionoi, sepse u mbyll nga xhonturqit. Ajo riçelet dhe fillon punë më 6 shtator 1913 deri në maj 1914. Gjatë Luftës së Parë Botërore “Normalja” përjetoi tre herë mbyllje dhe hapje të saj./Dijasot.com