Si t’i mbani kafshët tuaja të sigurta dhe të shëndetshme në kohë të nxehta?

Kafshët shtëpiake nuk janë në gjendje të shprehin kur kanë shumë vapë ose kur janë të dehidratuar, prandaj ju duhet të mësoni se si t’i mbani sa më të sigurt dhe të shëndetshëm gjatë këtyre temperaturave të larta.

Nëse dyshoni se kafsha juaj vuan nga nxehtësia, zhvendoseni në një vend të freskët, lagini me ujë të freskët.

Për më tepër, qëndrimi i një qeni në makinë në një ditë të nxehtë mund të ketë pasoja shkatërruese, pasi temperatura brenda makinës mund të rritet në nivele ekstreme shumë shpejtë, prandaj këshillohet që të mos i lini kurrë kafshët në makinë në ditë të nxehta, shkruan The Independent, transmeton Klankosova.tv.

Për të siguruar që qentë të jenë të qetë gjatë shëtitjeve në ditë me nxehtësi të tepërt, rekomandohet që shëtitjen ta bëni vetëm në mëngjes ose në mbrëmje pasi kështu ata nuk i djegin putrat në rrugë.

Ju gjithashtu duhet të siguroheni që qeni juaj të ketë gjithmonë ujë.

Llojet e ndryshme të maceve mund të jenë më të prirura për tu djegur nga dielli se kafshët tjera, thonë nga Agjencia e Kafshëve.

“Macet me ngjyrë të zbehtë janë të prekshme nga djegiet nga dielli; veçanërisht në vesh, hundë dhe zonat me qime më të rralla”, thekson agjencia, duke shtuar se “si te njerëzit, djegia nga dielli ndonjëherë mund të çojë në kancer të lëkurës”.

Rekomandohet që macja  të mbahet brenda në kohën më të nxehtë të ditës, nga ora 11:00 e mëngjesit deri në orën 15:00 pasdite.

Pastrimi i leshit të maces mund të jetë gjithashtu një veprim i mirë për t’i bërë ata të ndihen më rehat në nxehtësi.

Ashtu si me çdo kafshë tjetër, macet nuk duhet të lihen në makina gjatë ditëve të nxehta.