Në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë në mes të Republikës së Kosovës dhe shtetit të Izraelit, Ambasada e Izraelit në Kosovë ofron mundësinë e pjesëmarrjes së profesionistëve të fushës së arsimit nga Kosova në Trajnimin për Inovacionin Pedagogjik.
“Trajnimi me mundësi për zhvillim profesional do të mbahet në periudhën 22 janar – 10 shkurt 2023, në Jeruzalem. Ky trajnim organizohet nga Mashav Center në Jeruzalem dhe synon zhvillimin profesional për : drejtorët e arsimit në MAShTI, drejtorët e arsimit në Komuna (DKA), drejtorët e shkollave të mesme dhe fillore, mësimdhënësit, ligjëruesit në fushën e pedagogjisë. Të gjithë personat e lartcekur inkurajohen të aplikojnë duke plotësuar formularin e bashkangjitur të aplikimit dhe duke e dërguar në adresën elektronike [email protected] deri më 23.12.2022. Shpenzimet e qëndrimit dhe trajnimit mbulohen nga organizatori, ndërkohë që udhëtimi mbulohet nga vetë aplikantët e suksesshëm ose nga institucioni ku punojnë”, thuhet në njoftimin e publikuar nga MAShTI.
Deri më sot shteti izraelit ka përkrahur Kosovën me shumë projekte për zhvillim të gjithmbarshëm. Edhe në fushën e arsimit, ndihma e këtij shteti nuk ka munguar asnjëherë./Dijasot.com