Shqipëri, nesër fillon mësimi, në universitet u regjistruan 20.000 studentë

Shqipëri, nesër fillon mësimi, në universitet u regjistruan 20.000 studentë Viti i ri akademik do të nisë të hënën më 2 tetor. Është dita e fundit e raundit të dytë të regjistrimeve dhe deri më tani rezultojnë rreth 20 mijë studentë të regjistruar.

Numri i të rinjve të regjistruar në institucionet e arsimit të lartë është pothuajse i njëjtë me të të një viti më parë dhe gjithashtu preferencat për programe studimi kanë mbetur të njëjtat. Më të kërkuarat mbeten ato degë të cilat të sigurojnë një vend pune: mjekësia e përgjithshme, arkitektura dhe inxhinieritë janë programet të cilat janë ezauruar që në raundin e parë të regjistrimeve.

Kërkesa të shumta ka pasur edhe për programet e Fakultetit Ekonomik, Juridik dhe Shkencat Sociale e të Natyrës, ndërsa programet e studimit të cilat janë shpallur prioritet kombëtar kanë pasur një rritje të kërkesave nga një vit më parë.

Në Universitetin Bujqësor vihet re një tejkalim i numrit minimal të studentëve për një grup, kjo dhe si pasojë e VKM-së, e cila mbështet studentët që zgjedhin këto degë me bursë sa paga minimale, duke hequr kriterin e mesatares. Për shumë degë në Universitetin Bujqësor ka një rritje të interesit, si: Menaxhim i Burimeve Natyrore, Mbrojtje Bimësh, Zootekni, Agronomi dhe Hortikulturë.

Regjistrimet në universitete do të vijojnë edhe gjatë muajit tetor. Do të ketë një fazë të hapur ku do të mund të regjistrohen të gjithë ata studentë që figurojnë në portalin “U Albania” në ato degë studimi ku kanë mbetur kuota të lira.