Shkollat në pushim për ditën e çlirimit të Kosovës

E hëna ishte ditë pushimi për nxënësit dhe mësimdhënësit në gjithë vendin. Ndonëse 12 qershori nuk figuron në kalendarin e festave zyrtare, kjo rregullohet për sistemin arsimor përmes kalendarit shkollor.

Ashtu sikurse shkolla e mesme “Xhevdet Doda”, edhe të gjitha shkollat e tjera të vendit të hënën e kishin pushim.

“Për Ditën e Çlirimit të Kosovës, sipas kalendarit shkollor të Ministrisë së Arsimit, është paraparë që në të gjitha shkollat e vendit të jetë pushim”.

Por për dallim nga nxënësit dhe mësimdhënësit, pushim nuk patën zyrtarët në  institucionet e tjera shtetërore, pasi një gjë të tillë nuk e parasheh kalendari i festave zyrtare.

Drejtori i Arsimit në Komunën e Fushë Kosovës, Fadil Krasniqi, thotë se 12 qershori është ditë pushimi me vendim të Ministrisë së Arsimit, raporton Atvlive.

“Nxënësit dhe mësimdhënësit e Kosovës për çdo vit më 12 qershor kanë pushim. Kjo ditë është në kalendarin e festave, është urdhër dhe duhet të respektohet gjithmonë kjo ditë, sepse na obligon vetë Ministria e Arsimit”.

Megjithatë, ai thotë se festat zyrtare nuk ndikojnë negativisht në plan-programin mësimor.

“Kjo është e paraparë edhe për përgatitjet e plan-programeve mësimore, që janë dhe parashihet të jetë festë dhe nuk parashihet që të punohet”.

Ndryshe, janë 13 festa që bëjnë pjesë në kalendarin shkollor të Ministrisë së Arsimit.