Rama: Me rëndësi prania e oficerëve të sigurisë në shkolla

Kryeministri Edi Rama nënvizoi sot rolin e rëndësishëm të oficerëve të sigurisë dhe punonjësve psikosocialë në shkolla.

I pranishëm në ceremoninë “Mësuesi i Vitit 2022”, Rama solli në vëmendje se ishte një fazë vërtet shqetësuese për trupat mësimore, për drejtoritë e shkollave, posaçërisht gjimnazeve dhe posaçërisht në pjesët më të populluara, sepse po bëhej thuajse e pamundur për të pasur një filtër mbrojtës mes nxënësve dhe individëve me profil problematik që i vinin shkollave vërdallë si hiena për natyrisht qëllime jo të mira.

“Në atë kohë kishte vazhdimisht edhe adresime prindërish të shqetësuar për ngacmime, për ofrime lëndësh narkotike dhe raste konkrete shqetësuese që arrinin deri edhe në media. Për hir të të vërtetës, praktika tregoi që punonjësit e sigurisë, kanë një rol shumë të dobishëm sepse nuk janë thjeshtë roje, por janë punonjës që vijnë nga shkolla e sigurisë, që vijnë nga një eksperiencë në strukturat e sigurisë dhe që e dinë fare mirë cili është roli i tyre, janë me sytë hapur dhe ndërveprojnë vazhdimisht me mësuesit, me drejtoritë. Rezultatet e këtij programi kanë qenë vërtet pozitive. Nuk mund të mohojë askush, as unë se problematikat mund të mos kenë ndonjë bisht këtu e atje, ndonjë rast sporadik, ndonjë episod, por absolutisht është një situatë shumë më e pastër, shumë më e qartë dhe shumë më pak problematike në aspektin e sigurisë së nxënësve”, tha ai.

Po ashtu, Rama vlerësoi se punonjësit psikosocialë kanë një rol të jashtëzakonshëm, me një rëndësi të veçantë.

“Rezultatet flasin për drejtësinë e marrjes së vendimit për t’i futur punonjësit psiko-socialë në shkollë. Flasin për lehtësimin e situatave që ata mundësojnë dhe flasin për nevojën për të shtuar më tutje numrin e tyre dhe për të krijuar kushte që dhe nga pikëpamja e nivelit të shërbimit të tyre, ata të mund të rrisin nivelin duke pasur më shumë kujdes dhe më shumë mbështetje nga ana jonë”, tha ai.