Rama: Me buxhetin 2024 përfundojmë investimet në 30 shkolla dhe hapim kantiere të reja

Shkolla e mesme e rikonstruktuar “Havzi Nela” në Kukës, hapi dyert për nxënësit e shndërruar tashmë në një shkollë të standardeve evropiane, me mjedise moderne, të pajisura me laboratorë të IT-së dhe të shkencave, bibliotekën dhe palestrën e re.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ambientet e reja të kësaj shkolle, e cila sapo ka hapur dyert e rilindur, me financim të Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë Kukës, duke ofruar kushtet më të mira për 1 mijë nxënësit dhe mësuesit e këtij gjimnazi, më i madhi i qarkut verilindor.

Kryeministri siguroi se me buxhetin 2024 përfundohen investimet në 30 shkolla dhe hapen kantiere të reja në institucionet arsimore nga veriu në jug.

Rikonstruksioni i shkollës ka përfshirë edhe ndërtimin e palestrës së re me sipërfaqe totale 315 metra katrorë.

Po kështu gjatë vitit po rikonstruktohet në Kukës edhe shkolla e mesme e përgjithshme “Bajram Abdiu” në Bicaj dhe në total janë pesë shkolla të reja të rikonstruktuara në Kukës./ATSH/