Kryeministri në detyrë Avdullah Hoti ka bërë të ditur se ka pasur një takim me Ministrinë në detyrë të Shëndetësisë Armend Zemajn dhe udhëheqësit e IKSHPK-së dhe të SHSKUK-së, ku është marrë vendim që të mbesin në fuqi masat e njëjta, pasi kanë vlerësuar se trendët janë stabilë.
Hoti tha se po shqyrtohet mundësia që nga 22 marsi mësimi të mbahet vetëm online, ndërsa vendimi do të merret sot.
“Po shqyrtohen mundësitë për fillimin e mësimit online në të gjitha nivelet e arsimit, për dy javët e ardhshme, duke filluar nga 22 marsi. Vendimi lidhur me këtë çështje pritet të merret sot pasdite pas takimit të përbashkët të MASH-it, MSH-së, IKSHPK-së, SBASHK-ut dhe Këshillit të Prindërve”, ka thënë Hoti.
Ata kanë kërkuar nga qytetarët që të respektojnë distancën fizike, të përdorin maskat dhe të mirëmbajnë higjienën personale. Ndërsa nga institucionet përgjegjëse për kontrollin e zbatimit të masave kundër COVID-19 që të ngrenë nivelin e angazhimit përmes respektimit rigoroz të masave në fuqi.
“Përkundër ngarkesave, institucionet shëndetësore po funksionojnë me kapacitete të plota dhe furnizimi me barna është stabil. Ndërsa Komiteti për Imunizim dhe institucionet përkatëse janë duke i kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme që sapo të arrijë kontingjenti i parë i vaksinës COVAX, menjëherë të fillojë vaksinimi i qytetarëve”, ka thënë Hoti. /Dijasot