Pse do të ketë zvogëlim të numrit të mësuesve dhe shkollave brenda dy viteve në Kosovë?

Numri i nxënësve në arsimin e mesëm të ulët parashihet të rritet deri në vitin 2026.

Ndërsa, në arsimin e mesëm të lartë do të ketë rënie më të madhe të numrit të nxënësve.

Ndërkaq, numri i grup-moshave që korrespondojnë me arsimin e lartë parashihet të rritet.

Këto zhvillime do të ndikojnë ndjeshëm në arsimin parauniversitar dhe në arsimin e lartë në Kosovë, thuhet në dokumentin Strategjia e Arsimit për periudhën 2022-2026.

Rënia e numrit të nxënësve do të ndikojë në uljen e numrit të paraleleve në shkolla, zvogëlim të nevojës për mësimdhënës dhe potencialisht, edhe në zvogëlimin e numrit të shkollave.

Në anën tjetër, lëvizja e popullsisë nga fshati në qytet do të shkaktojë ngarkesë më të madhe në shkollat urbane dhe numër të vogël të nxënësve sidomos në zona të largëta rurale. Këto ndryshime demografike duhet të reflektohen në një racionalizim domethënës të rrjetit të shkollave dhe në rishikim të planifikimit gjatë periudhës së zbatimit të planit strategjik. /Dijasot.com