PISA- Kurrikula e re çelës për sukses?

Shkruan: Iris Gjinovci

Të hysh në Pisa është sikur të hysh në konkursin botëror të tangos argjentinase, duhet të njohësh rregullat dhe shpirtin e tangos, të praktikosh lëvizjet e pastaj në konkurs e kërcen dhe vlerësohesh për kondicionin që ke dhe atë çfarë jep.

Shumë shtete të zhvilluara hynë në edicionin e parë të PISA pa i njohur rregullat dhe u shokuan nga rezultatet, por në edicionin e dytë hynë me rregulla të mësuara. Ngaqë sistemi i kurrikules së tyre ishte afër me objektivat dhe mënyrat si mat PISA, patën çdo herë rezultate korrekte duke u vendosur në një mesatare 450 pikë e lart ndër 600 të mundshme.

Shqipëria dhe Kosova hynë në PISA herët dhe dolën dobët, e megjithatë as në edicionin e katërt e të pestë nuk bënë përpjekje ta kuptojnë PISA-n ose të stërviten qoftë dhe mekanikisht derisa ta brendësojnë. Por, halli u bë mal kur ndonjë këshilltari ministror ekspert autodidakt me autoritet (por me anglishte të pamjaftueshme për të lexuar vëllimet mijëra faqesh të PISA-s), iu mbush mendja se vendet tona do të dilnin shumë më mirë në PISA nëse do të ndryshonin tërësisht e menjëherë, sistemin kurrikular dmth tërësinë e përbërësve dhe karakteristikave të arsimit tradicional shqiptar.

Meqë jemi vende demokratike vendimet i marrim nga lart poshtë, s’kemi nevojë për analiza e feasibility, projektet e mëdha i nisim me hajde se e shohim rrugës, kurse thelbin e projektit të zgjedhur arbitrarisht e kuptojmë përciptazi e nuk ia materializojme me përpikmëri as vlerën që ka. Si rrjedhim, teoria konstruktiviste e pranuar pa analizë për t’u bërë boshti i kurrikulës së re, në vitet e fundit i bëri Shqipërisë dhe Kosovës shërbimin e vyeshëm të të sjellurit vërdallë të mësuesit dhe letimit të nxënësit me qëllimin për të zhbërë dijen e strukturuar që ndërtonim me kurrikulën e vjetër e që na kishte ndihmuar të përballonim me sukses shkollat e punët në mbarë botën.

Nga raporti i performancës të nxënësit në PISA 2022 rezultoi tani që përafërsisht vetëm 5 nga 30 nxënësit e një klase në Kosovë e Shqipëri kuptojnë saktë e drejt atë që lexojnë, përkunder rreth 18 nga 30 në Serbi e gati 30/30 në Kinë. Shanset janë që kjo perqindje kaq e ulët tregon që në sistemin tonë arsimor pajisen me dije dhe aftësi vetëm nxënësit me inteligjencë sipërore (mbi 110 pike), por jo masa prej 80% e nxënësve, kur në Kinë shkolla iu zhvillon mjaftueshëm aftësitë gati 100% te nxënësve e në Serbi shumicës së tyre (65%). Si do ta përballojmë ne shqiptaret shekullin e 21 me një shoqëri ne skajin e mosdijes relative, me 70-80 vetë në 100 që nuk arrijnë të kuptojnë atë që lexojnë ashtu si e kupton gjithë bota? Për çfarë gjithëpërfshirje e arsimi cilësor e kemi fjalën?

Mendoj se është koha të zgjohemi e të kerkojmë zgjidhje, sepse të ashtuquajturat “skills for life” ose “shkathtësi për jetën” të supozuara të zhvilluara dhe të zhvillueshme me patjeter te fëmijet shqiptarë sepse kemi kurrikulën e re me sistemin e dijes së atomizuar janë suksesi me halucilogjenik që përjetojnë Ministritë tona të Arsimit.

I.G Marrë me autorizim nga muri në Facebook ( Pjesa e parë)