Pediatrja Lira Gjika ka bërë thirrje që prindërit të ndalojnë të betohen në emër të fëmijëve të tyre.
“‘Më vdektë çuni që po të them të vërtetën” apo “për kokën e çunit apo të gocës”. Këto betime të tmershme, të cilat nuk na shkulen nga fjalori, ajo thekson se i bëjnë si pa gjë të keq, burrat dhe gratë pa dallim.
“Ajo që të bën përshtypje, është se, asnjë nuk mendon se çfarë po “nxjerr” nga goja dhe për çfarë bëhen gjithë këto betime, që të rënqethin mishin kur i dëgjon. Bëhen për t’i besuar një dikush, që sado i rëndësishëm, që të jetë, nuk vlen sa jeta e fëmijës. Dhe ajo, që është më e dhimshme, qëndron në faktin që asnjë nuk betohet për veten dhe kur i thua: -çfarë flet, kush është ky njeri, që t’i duhet të thuash një betim të tillë?- pa gjë të keq thonë: “që të më besojë”, thotë Gjika.
Ky mosbesim te fjala e vet personit, ajo thotë se tregon një shkallë të ulët vetëvlerësimi dhe papërgjegjshmëri.
“A i ka shkuar në mëndje ndokujtë, po ti dëgjojë fëmija çfarë do të ndjejë, mendojë dhe provojë? Kujdes prindër, zgjidhini fjalët dhe mendojini mirë para se ti nxirni nga goja. Ju jeni modeli dhe siguria e fëmijës tuaj. Çfarë modeli do t’i ofroni fëmijës, kur nuk dini se çfarë thoni, që nuk i besoni as vetë fjalës tuaj apo që tjetri është më i rëndësishëm se vetë fëmija që thoni se e doni shumë?”, shkruan Gjika./Dijasot.com