Patinazhi artistik dëshmia se njerëzimi shpiku sportet që në parahistori

Nuk dihet koha e saktë si dhe vetë procesi se si njerëzit filluan të mësojnë të rrëshqasin mbi akull edhe pse arkeologët besojnë që ky aktivitet ka qenë gjithmonë mjaft i përhapur. Fakti që patinazhi në akull ka qenë i përshtatshëm dhe efikas për të kaluar hapësira të gjera dhe të akullta është dëshmuar edhe në bazë të gjurmëve arkeologjike, me ç’rast janë gjetur patina të mbaruara nga eshtrat e kafshëve primitive në vendet siç janë; Rusia, Skandinavia, Britania e Madhe, Holanda, Gjermania si dhe Zvicra.

Patinat prodhoheshin nga eshtrat e kafshëve siç janë kali, gjedhet dhe dreri verior. Eshtrat shtypeshin gjersa të formohej një shtresë e rrafshët rrëshqitëse dhe lidheshin për këmbë përmes lidhëseve. Patinat e dikurshme nuk përdoreshin si patinat moderne. Në atë kohë, ato përdoreshin duke e shtyrë një shtizë e cila i ndihmonte personit të lëvizte mbi akull.

Me ndihmën e këtyre patinave, personi mund t’i kalonte përafërsisht katër kilometra në orë dhe të shpenzonte shumë më pak energji se sa të provonte të ecë këmbë përmes liqenit të mbuluar me akull. Sipas një studimi të bërë nga Federico Fermenti nga Universiteti i Oksfordit del se rrëshqitja më e hershme mbi akull ka filluar në Finlandën jugore para përafërsisht 4000 viteve.

Përshkrimi i parë i rrëshqitjes mbi akull në një vepër të artit është bërë në shekullin e 15-të

Patinazhi në akull është përmendur për herë të parë në mënyrë konkrete në biografinë e martirit Thomas Becket të shkruar nga sekretari i tij i dikurshëm William Fitzstephen rreth vitit 1180. Në këtë libër është përfshirë edhe një përshkrim i Londrës si dhe është përmendur sporti i popullarizuar në Londër në atë kohë :

“…Kur moçali i madh i cili shtrihet në muret veriore të qytetit mbulohet nga akulli, një turmë e madhe e të rinjve mblidhet atje dhe të gjithë luajnë mbi akull… Ka ndër ta të tjerë, të cilët janë më të shkathtë dhe vallëzojnë mbi akull: ata lidhin eshtra të kafshëve nën këpucët e tyre; përdorin thupra të cilat i mbajnë me dorë dhe të forcuara me maje të metalta të cilat kohë pas kohe i fusin në akull dhe kështu e shtyjnë vetveten dhe lëvizin shpejt si një zog që fluturon ose edhe si një shigjetë që del nga harku…”

Thuprat të cilat i përmend Fizstephen përdoreshin për lëvizje sepse patinat primitive të mbaruara nga eshtrat e kafshëve nuk kishin tehe të mprehta për rrëshqitje sikurse që kanë patinat moderne. Në anën tjetër, përshkrimi i parë i rrëshqitjes mbi akull në një vepër të artit është bërë në shekullin e 15-të nga një artist holandez, i quajtur Johannes Brugman.

Piktura e Shën Lidwina-s, mbrojtëse e shenjtë e patinatorëve në akull, duke rënë mbi akull paraqet veprën e parë të artit të punuar nga një artist i madh, i cili ka vendosur të marrë rrëshqitjen mbi akull si temë kryesore të pikturës. Një aspekt tjetër i pikturës është një njeri i cili paraqitet në sfond duke rrëshqitur mbi akull me një këmbë. Kjo do të thotë që patinat e këtij personi kishin tehe të mprehta, të ngjashme me patinat të cilat i mbathin artistët e patinazhit në ditët e sotme.

Zhvillimi i patinave

Tehet e mprehta për patina u shpikën nga holandezët në shekullin e 13-të ose në shekullin e 14-të. Këto patina prodhoheshin  nga çeliku me tehe të mprehta në pjesën e poshtme për ta lehtësuar lëvizjen. Konstruksioni i patinave moderne ka mbetur kryesisht i ngjashëm me konstruksionin e këtyre patinave.

Ndryshimi i vetëm madhor në dizajnin e patinave për akull pasoi shumë shpejt. Përafërsisht po në atë kohë kur patinave iu shtuan tehet e mprehta, edhe një holandez, i cili punonte si shegert i një zdrukthëtari, bëri eksperiment me proporcionin e gjatësisë dhe gjerësisë së tehut të metaltë të patinave duke prodhuar kështu një dizajn i cili ka mbetur pothuajse i pandryshuar gjer në ditët e sotme.

Personi i cili rrëshqet mbi akull nuk ishte më i detyruar të përdorë thupra për shtytje kurse lëvizja mbi patina fitoi tani shumë më tepër liri dhe stabilitet.

Patinazhi nw akull

Në Holandë, patinazhi në akull konsiderohej si sport i përshtatshëm për të gjitha shtresat e njerëzve. Megjithatë, në vende të tjera, pjesëmarrja në patinazh ishte e limituar vetëm për pjesëtarët e shtresave të larta. Perandori Rudolf-i II nga Perandoria e Shenjtë Romake kënaqej aq shumë duke rrëshqitur mbi akull sa që ai kishte konstruktuar një shesh të madh të patinazhit në pallatin e tij në vitin 1610 në mënyrë ta bënte këtë sport më të popullarizuar.

Mbreti i Anglisë, James-i II erdhi në Holandë si mbret i dëbuar dhe u dashurua në këtë sport. Kur u kthye në Angli, ai e përhapi këtë sport të “ri” tek aristokracia angleze. Mbreti i Francës, Louis XVI e përhapi rrëshqitjen mbi akull në Paris gjersa ishte në pushtet. Madame de Pompadour, Napoleoni I, Napoleoni III si dhe Pallati i Stewart-ëve bënin pjesë në mesin e personave të cilët e adhuronin patinazhin në akull, dhe këta adhurues vinin nga shtresa e lartë dhe mbretërore e asaj kohe.

Besohet që Mbretëresha Victoria u njoh më mirë me bashkëshortin e saj të ardhshëm, Princin Albert, përmes disa takimeve të cilat i realizuan duke bërë patinazh në akull së bashku.

Edhe pse njerëzit bëjnë patinazh në akull me shekuj të tërë, patinazhi artistik filloi të zhvillohet kah mesi i shekullit të18-të. Anglezi Robert Jones ishte njeriu i parë i cili shkroi për patinazhin artistik në punimin e tij: “A Treatise on Skating” (Një libër mbi patinazhin) në vitin 1772. Stili i Jones-it ishte i njohur si “stili anglez” i patinazhit artistik; ky ishte një stil i ngurtë dhe formal dhe kishte shumë pak ngjashmëri me patinazhin artistik të ditëve të sotme. Ishte artisti amerikan i patinazhit Jackson Haines, i cili konsiderohet edhe si “baba i patinazhit artistik bashkëkohor”, ai i cili përhapi një stil të ri të patinazhit artistik në mes të viteve 1860. /DijaSot.com