Pas fillimit dhe ndarjes së suksesshme nga raketa, Peregrine nuk mundi të vendosej në pozicion të kthyer përballë diellit, me siguri për shkak të një problemi me makinën, dhe nuk ishte në gjendje të ngarkonte bateritë, shkruan CNN-i. Ishte ky misioni i parë amerikan i zbarkimit në Hënë që nga viti 1972, domethënë që nga epoka e misioneve Apollo. Nëse gjithçka do të shkonte sipas planit, tokëzuesi duhej të ulej në Hënë më 23 shkurt.
Instrumente shkencore dhe mbetje njerëzore në anijen kozmike
Përveç instrumenteve shkencore të NASA-s, tokëzuesii transportonte edhe ngarkesa nga dy kompani të tjera. Celestis njoftoi se dërgesa e saj përmbante 69 mbetje individuale, duke përfshirë krijuesin e ndjerë të Star Trek-ut Gene Roddenberry, shkrimtarin e fantazive shkencore Arthur C. Clarke dhe një qen të quajtur Indica-Noodle Fabiano.
Konsumatorët paguanin çmime duke filluar nga 12,995 dollarë për transport, sipas faqes së internetit të kompanisë. Populli Navajo, fisi më i madh indigjen i Amerikës, shprehu shqetësim për praninë e mbetjeve njerëzore të kremuara në anijen kozmike, duke e quajtur misionin një “përdhosje” të hënës, e cila ka vend të shenjtë në kulturën e tyre.
Çfarë duhej të studionte Peregrine në Hënë?
Sa i përket aspektit shkencor, NASA kishte pesë instrumente në Peregrine për të matur nivelet e rrezatimit, akullin e ujit sipërfaqësor dhe nëntokësor, fushën magnetike dhe shtresën jashtëzakonisht të hollë të gazit – ekzosferën. Misioni ishte të analizonte përbërjen e ekzosferës së Hënës dhe të monitoronte se si ndryshon ajo gjatë tetë ose më shumë ditëve të Tokës.
Peregrine gjithashtu duhej të hetonte saktësisht se si molekulat e ujit lëshohen nga sipërfaqja gjatë ditës dhe “bllokohen” përsëri gjatë natës, domethënë për të na udhëzuar më mirë pë mekanizmin që qëndron pas qarkullimit të ujit në Hënë
Problemi i uljes së butë
Në gusht të vitit të kaluar, India u bë vendi i katërt deri më tani që arriti të kryejë ulje të butë, ose të kontrolluar, duke zbritur në Hënë pasi Rusia nuk arriti ta bëjë këtë në të njëjtin muaj. SHBA-ja, Kina dhe ish-Bashkimi Sovjetik janë të vetmet që e kanë arritur këtë deri tani.
Ulja e butë (Angl. soft landing) në Hënë, ose në çdo trup tjetër qiellor, nënkupton zbritjen e kontrolluar të një anije kozmike në sipërfaqe pa dëmtime të konsiderueshme të anijes kozmike dhe/ose instrumenteve të saj shkencore.
Ulja e vështirë (angl. hard landing) i referohet asaj zbritjeje në tokë, gjatë së cilës ka dëme të konsiderueshme në fluturake dhe gjatë së cilës shpesh ka humbje të kontaktit. Kjo lloj uljeje mund të jetë e qëllimshme, domethënë e planifikuar, por mund të jetë edhe një përpjekje e dështuar për ulje të butë.
Misioni Peregrine u organizua si pjesë e programit të eksplorimit hënor të NASA-s Artemis. Një tjetër kompani private amerikane në kuadër të të njëjtit program të NASA-s planifikon të nisë tokëzuesin e saj në shkurt me një raketë SpaceX Falcon 9./DG/Dijasot.com