Opozita solidarizohet me mësimdhënësit, lëshoi mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit në shenjë revolte për mosekzekutimin e pagave

“GP i LDK-së në shenjë pakënaqësie për sjelljen e papërgjegjshme të qeverisë lidhur me pagat e arsimtarëve, lëshojmë mbledhjen e kryesisë".

Partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës sot kanë lëshuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës në shenjë revolte për mosekzekutimin e pagave për sektorin e arsimit.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratikë të Kosovës (LDK), Arben Gashi tha se në shenjë pakënaqësie për mosekzekutimin e pagave nga Qeveria e Kosovës, për sektorin e arsimit, ka lëshuar mbledhjen e kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Gashi në një konferencë për media theksoi se Qeveria e Kosovës me sjelljen e vet, me tendencë autoritare ka shkelur hierarkinë kushtetuese.

“GP i LDK-së në shenjë pakënaqësie për sjelljen e papërgjegjshme të qeverisë lidhur me pagat e arsimtarëve, lëshojmë mbledhjen e kryesisë me arsyetimin se Qeveria e Republikës së Kosovës me sjelljen e vet me tendencë autoritare po shkel hierarkinë Kushtetuese, rendin juridik në Kosovë duke u pamundësuar të 25 mijë familjeve për të marr të ardhurat e tyre mujore”, ka thënë Gashi.

Ai tha se Qeveria e Kosovës në mënyrë arbitrare është duke pamundësuar marrjen e pagave të 25 mijë familjeve në Kosovë.

“Në mënyrë arbitrare qeveria po pamundëson marrjen e pagave të mësuesve në Kosovë, duke shkel autonominë  e qeverisjes lokale dhe për pasojë kartën evropian të vetëqeverisjes lokale, Kushtetutën e Kosovës…”, tha ndër të tjera Gashi nga LDK.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar nga radhët e PDK-së, Abelard Tahiri, tha se në shenjë revolte ka lëshuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, pasi Qeveria e Kosovës nuk i ka ekzekutuar pagat për mësimdhënësit.

Ai tha se mosekzekutimi i pagave për mësimdhënësit është një vendim i paligjshëm si dhe e quajti një vendi arrogant të ministrit të Financave, Hekuran Murati.