Në komunë thonë se do ta bëjnë një zgjidhje të përkohshme nga gjysmëvjetori i dytë, ndërsa punimet për ndërtimin e gjimnazit të ri janë ndaluar për shkak të problemeve pronësore.
Nxënësit dhe menaxhmenti i shkollës nuk kanë reshtur së kërkuari kushte më të mira, por deri tani kërkesat e tyre nuk janë realizuar.
“Kushtet janë të tmerrshme me një fjalë nuk di as si ta përmbledhë këtë shkollë ndoshta është më ideale ta ndërrojmë këtë objekt ose ta bëjmë një pauzë se kështu nuk po mësohet. Sigurisht se jemi 23 ndoshta e nxënësve prej këtij objekti”, tha nxënësi Edmond Miftari.
“Kushtet janë tepër të rënda siç po shihen edhe vetë. Për mësim kemi pak probleme edhe me mbajt se tani është edhe temperatura janë të ulëta dhe nxehjet nuk punojnë në disa klasa por edhe dritaret siç po shihen janë të hapura”, tha nxënësi Murtez Brati.
“Nuk ka kushte më të rënda ma të vështira nuk besojë që ka në Kosovë as edhe një element nuk e gjen për ta vazhduar mësimin një element sa do të vogël. Por për faktin që 1200-1300 nxënës në rrugë nuk mund ti qesim”, tha Hajrije Nebiu, drejtoreshë e Gjimnazit shoqëror “Shaban Hashani”, raporton RTKlive.
Opozita thotë se qeverisja lokale nuk i ka bërë planifikimet adekuate.
“Por qeverisja jonë e ka bë zgjidhjen lidhur me ndërtesën që ja ka dedikuar komuna shkollës “Shaban Hashani” dhe presim që qeverisja lokale ta kryej detyrën saj për t’ia siguruar shkollës “Shaban Hashani” ndërtesën për vijim e mësimit në kushtet normale”, tha Fatbardha Zogaj-Reka, Kryetare e degës së LVV në Ferizaj.
Komuna kishte planifikuar ta rrënonte objektin e vjetër për ta ndërtuar një park por që ky objekt shpallet si trashëgimi kulturore. Kurse në lokacioni e ri ku filloi ndërtimin i shkollës së re ishin ndërprerë punimet për shkak se prona i takonte AKP-së
“Tashmë së fundi është marrë vendi i ri në kuadër të Qeverisë së Kosovës dhe Komunës së Ferizajt që të vazhdohet punimi tek gjimnazi i ri dhe tek shkolla mesme “Elena Gjika” dhe ne po shpresojmë shumë që gjysmë vjetori i dytë i të dy shkollave që janë në të njëjtin objekt të vazhdojë tek objekti i ri”, tha Selim Marevci, zëdhënës i Komunës së Ferizajt.
Për shkak të kushteve të rënda të objektit shkollor, një mësimdhënëse kishte refuzuar të zhvillojë mësimin në gjimnazin “Shaban Hashani”, në Ferizaj.