Një produkt qumështi që është i mirë për zemrën, mund të ulë edhe kolesterolin

Ekspertët besojnë se djathi dhe vetitë e tij unike mund të jenë të dobishme për shëndetin.

Hulumtimet tregojnë se djathi ka efekt pozitiv në zemrën, zorrët dhe shëndetin kognitiv dhe mund të mbrojë kundër diabetit të tipit 2, shkruan Daily Mail .

Një nga studimet më të fundit, i publikuar në revistën Nutrients, zbuloi se konsumimi i rregullt i djathit lidhet me shëndetin më të mirë të trurit tek njerëzit e moshuar.

Shkencëtarët në Japoni analizuan dietën e më shumë se 1500 njerëzve mbi moshën 65 vjeç. Ata që thanë se konsumonin rregullisht djathë kishin rezultate më të mira në testet njohëse dhe kishin një rrezik më të ulët të demencës në krahasim me ata që nuk e konsumonin fare.

Një studim tjetër, i prezantuar në konferencën e Shoqatës Amerikane të Dietologjisë, sugjeron se probiotiku Lactobacillus rhamnosus GG, i gjetur në djathin parmixhano dhe kos, përmirëson kujtesën dhe funksionin e trurit tek njerëzit e moshuar me dëmtim të lehtë njohës.

Shëndeti i zemrës dhe djathi
Kur bëhet fjalë për shëndetin e zemrës, pavarësisht frikës së gjatë se yndyra në djathë rrit nivelet e kolesterolit në gjak, hulumtimet e fundit tregojnë të kundërtën.

Në vitin 2018, Dr. Emma Feeney drejtoi një provë gjashtëjavore në të cilën 164 persona mbi moshën 50 vjeç me kolesterol të ngritur lehtë u ndanë në tre grupe dhe iu dhanë 42 gram yndyrë qumështi.

Hulumtimi, i publikuar në American Journal of Clinical Nutrition, zbuloi se grupi që konsumonte djathë me yndyrë të plotë kishte një ulje më të madhe të kolesterolit total sesa dy grupet e tjera.

Feeney beson se çelësi për këtë është mënyra se si yndyra ruhet në strukturën e djathit./DG/Dijasot.com