Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se sot ka nënshkruar vendimin që pushimi pranveror për nxënësit të fillojë më 6 prill dhe të përfundojë më 12 prill.
Në vendim e nënshkruar përfshihet edhe e premtja, 9 prill, Dita e Kushtetutës së Kosovës, që sipas kalendarit festiv figuron si ditë pushimi.
Nagavci, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se kjo periudhë e pushimit do të shfrytëzohet për dezinfektimin e plotë të hapësirave shkollore.
“Sot kam nënshkruar Vendimin që pushimi pranveror të realizohet me 6-8 prill, pra duke përfshirë ditët e pushimit, mësimi do të rifillojë. Uroj që ky pushim të ndikojë në ruajtjen e shëndetit publik, uljen e rasteve të reja të infektimit me COVID-19, në mirëqenien fizike dhe mendore të nxënësve dhe prindërve të tyre, mësimdhënësve dhe stafit tjetër në shkolla. Kjo periudhë do të shfrytëzohet për dezinfektimin e plotë të hapësirave shkollore. Mësimdhënësit dhe udhëheqësit në shkolla do të reflektojnë dhe analizojnë punën e tyre në periudhën e parë dhe të dytë, ashtu si dhe do të përgatiten për përfundimin sa më të suksesshëm të vitit shkollor”, ka shkruar ajo.
Ajo po ashtu bëri të ditur se ditët e humbura do të zëvendësohen në fillim të vitit shkollor.
“Në takimet që kam pasur këtyre ditëve me përfaqësues të të gjithë akterëve të përfshirë në arsim, kemi arritur një pajtueshmëri të plotë jo vetëm për këtë pushim, por edhe për zëvendësimin e ditëve të humbura në fillim të vitit shkollor. Në takimet e punës shpreha dhe brengat e mia për cilësinë e mësimdhënies dhe mësimnxënies gjatë këtij viti të vështirë dhe sfidues shkollor, pabarazive që mund të jenë shtuar te nxënësit dhe arritjes së rezultateve të pritura. Në këtë drejtim, shumë shpejt do të nxjerrim dhe Vendimin për organizimin e mësimit plotësues dhe shtesë për nxënësit që mund të kenë pasur ngecje, sidomos për filloristët, për çfarë pati mbështetje të plotë nga të gjitha palët”, ka bërë të ditur Nagavci.
Në vendimin e publikuar po ashtu theksohet se provimi i Maturës Shtetërore në afatin e parë do të mbahet në datat 12 dhe 19 qershor 2021, ndërsa në afatin e dytë do të mbahet më 28 gusht dhe 4 shtator 2021. /Dijasot.com
Di