Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Javës së Gruas 2024, me temën “Ndërprerja e ciklit të dhunës përmes fuqizimit ekonomik”, organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI), me mbështetjen e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).
Ministrja Nagavci me këtë rast ka thënë se, edukimi luan rolin primar jo vetëm në fuqizimin e vajzave dhe grave, por gjithsesi edhe në fuqizimin dhe zhvillimin e shoqërisë dhe në eliminimin jo vetëm të dhunës, por të të gjitha pabarazive të tjera.
Nagavci ka folur edhe për pabarazinë e pagave në mes të burrave dhe grave, që vazhdon të mbetet problem global, ku sipas disa studimeve edhe në vendet më të zhvilluara vajzat dhe gratë që kanë pozita të larta menaxheriale dhe drejtuese, në jo pak raste, përkundër sfidave të tjera ballafaqohen edhe me pagesa më të vogla.
Sipas njoftimit të MAShTI, Nagavci ka bërë të ditur se, të gjitha politikat drejt barazisë gjinore janë në linjë me instrumentet evropiane dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, duke shtuar se, që nga marrja e mandatit para 3 vitesh, në MAShTI janë hartuar politika për mbështetjen dhe fuqizimin e grave, ku një nga format efektive dhe me impakt të dukshëm të mbështetjes ka qenë ofrimi i bursave të ndara mbi baza gjinore, si në nivelin e arsimit të lartë ashtu edhe në arsimin e mesëm.
Ndër të tjera, Nagavci ka folur edhe për politikën e ndërtimit të çerdheve, sidomos në vendet rurale, me qëllim që nënat e reja të kenë mundësi të zhvillojnë karrierën e tyre, si dhe përmirësimin e teksteve shkollore, ku ndër të tjera është siguruar edhe shqyrtimi i aspektit gjinor, në mënyrë që në tekstet tona të mos kenë vend paragjykimet dhe stereotipet.
Ministrja Nagavci po ashtu ka thënë se, disa nga politikat dhe veprimet konkrete përfshijnë: mbështetjen me bursa e subvencionim të vajzave dhe grave; avancimin e politikave kundër braktisjes së shkollimit; zhvillimin dhe shpërndarjen e materialeve didaktike, siç është Pakoja e 12 moduleve tematike ku adresohet mosdikriminimi, barazia gjinore, parandalimi i martesës së hershme, etj., doracaku për mbrojtje nga trafikimi, informatori për rolin e arsimit në zbatim të Konventës së Stambollit, etj./Dijasot.com