Ministrja Kushi përcjellë mesazhin e Ismail Qemalit: “Kryeqyteti i Shqipërisë mund të ishte Elbasani”

Ministrja e Arsimit dhe Sportit në Republikën e Shqipërisë Evis Kushi ka thënë sot se kryeqyteti i Shqipërisë mund të ishte Elbasani.

Ajo ka bërë këtë deklaratë duke u thirrur në një intervistë të Ismail Qemalittë dhënë më 8 nëntor 1912, për gazetën vjeneze Neue Freie Presse, raporton Dijasot.com.

Kushi ka vizituar sot qytetin e Elbasanit, si i pari qytet në Shqipëri në të cilin u ngrit flamuri i pavarësisë nga Aqif Pashë Elbasani.

“Kryeqyteti i Shqipërisë mund të ishte Elbasani … Elbasani mund të ishte Uashingtoni, ndërsa Vlora Nju Jorku ynë” – kështu deklaronte Ismail Qemali në 8 nëntor 1912, në intervistën e dhënë për gazetën vjeneze Neue Freie Presse.

Jo rastësisht, më 25 nëntor 1912, Elbasani ishte i pari qytet ku Aqif Pashë Elbasani, ngriti flamurin e pavarësisë, një akt historik që i parapriu Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor nga Ismail Qemali në Vlorë”, ka shkruar Kushi në një postim të saj në rrjetin social Facebook.

Ajo ka shprehur mirënjohje të gjithë patriotëve dhe intelektualëve të shquar elbasanas ndër shekuj, që siç tha Kushi “ kanë punuar me mish e shpirt, duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për Elbasanin dhe gjithë Shqipërinë”./Dijasot.com