Latif Berisha ish kryetar i LDK-së në Mitrovicë, u vra në natën e parë të 24 marsit kur ndodhën vrasje të njerëzve si dhe figurave të rëndësishme në atë kohë si ndaj familjes së avokatit Bajram Kelmendi. Ka pasur masakra në Podujevë, Drenicë, derisa shkalla e këtyre krimeve u kuptua më vonë.
Latif Berisha lindi më 18 qershor 1931 në Smrekonicë të Vushtrrisë.
Mësimet fillore i kreu në vendlindje, ndërsa ato të mesme në Vushtrri e Prishtinë.Fillimisht më 1949,punoi mësues në shkollën fillore në Pantinë. Këtu filloi të shkruajë poezi e disa prej tyre edhe t’i botojë në revistën letrare ‘Jeta e Re”. Më 1951 punoi inspektor në Sekretariatin për Arsim Kulturë dhe Shëndetësi.Në ato vite qe edhe anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Arsimtarëve.
Më 1954, Latif Berisha punoi mësimdhënës i Gjuhës dhe letërsisë shqipe në Gjimnazin e ulët të Vushtrrisë, ndërsa më 1955 regjistrohet student i rregullt i Albanologjisë në Fakultetin Filozofik në Beograd. Gjatë kohës së studimeve,më 1957 boti përmbledhjen e poezive”TUFA”. Aktiviteti i tij u dallua edhe në formimin e Shoqërisë letrare “Përpjekja” të studentëve shqiptarë që studionin në Universitetin e Beogradit. Në qershor të vitit 1959, diplomoi në degën e Albanologjisë dhe pastaj punoi mësimdhënës në Gjimnazin e Mitrovicës “Silvira Tomazini”.
Më 1963, Latif Berisha i vazhdoi studimet pasuniversitare , Drejtimi i Letërsisë, në Fakultetin Filologjik të Beogradit dhe punoi temën e magjistraturës “Skëndërbeu në letërsinë e shkruar shqipe”.
Më 1965 u zgjodh asistent në Degën e Albanologjisë në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, ndërsa më 1968 u zgjodh ligjërues i Historisë së letërsisë shqipe (Romantizmi).
Që nga viti 1984, punoi në projektin “Skëndërbeu në letërsinë shqipe” të cilin nuk e mbaroi.
Në vitin 1991, si dhe shumë mësimdhënës të tjerë, edhe Latif Berishën,regjimi serb e largoi nga puna.
Gjatë viteve ’90, Latif Berisha u angazhua në lëvizjen e intelektualëve dhe të popullit shqiptar për mbrojtjen e çështjes kombëtare.Ka qenë anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetar i Degës së LDK-së në Mitrovicë.
U angazhua posaçërisht si udhëheqës në sektorin e kulturës.Ka qenë anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.
Kur lufta për çlirimin e Kosovës mori hov të madh, më 24 mars 1999, në natën e parë të bombardimeve të forcave të Natos mbi caqet serbe, në Mitrovicë, kriminelët serbë e vranë prof.Latif Berishën,në pragun e shtëpisë së tij.
Pas luftës Biblioteka e qytetit në Mitrovicë mori emrin “Latif Berisha”.
Kontributi i Latif Berishës në fushën e arsimit,shkencës,kulturës. etj. qe shumë i madh. Vepra e tij poetike e shkencore zë vend të rëndësishëm në letërsinë dhe shkencën shqiptare të filologjisë.
Latif Berisha ka botuar vëllimin me poezi “Tufa”(1957), studimet e vështrimet: Ali Asllani dhe krijimtaria e tij poetike”(1963), Skëndërbeu në poemën “Kënga e sprasme e Balës” (1968), Skëndërbeu në disa krijime të letërsisë shqipe në Jugosllavi (1968), Vepra “Lulet e Verës” dhe disa nga dimensionet e saj kuptimore (1972), Poema “Bagëti e Bujqësi” (vlera ideoartistike) (1972), Hil Mosi dhe krijimtaria e tij poetike (1972), Andria Kaçiq Mioshiq dhe shqiptarët (1974), Një tufëz vjershash autografe të Zef Serembes (1974), Mistifikimi letrar dhe letërsia shqiptare e Rilindjes (1976), Jehona e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në katër poezitë e atyre viteve (1978), Zef de Rada,poet pak i njohur arbëresh (1978),Pikëpamjet e Luigj Gurakuqit mbi poezinë (1978), Në gjurmë krijuese të Jeronim de Radës (1978), Pikëpjekje të Letërsisë së Rilindjes me jetën dhe letërsinë e sllavëve të jugut (1982), Poezia e De Radës në suaza botërore (1984), Gjendje aktuale e kulturës shqiptare në Kosovë dhe kahet e zhvillimit të saj (1995), Vepra letrare “Dora d’Istrias , Shqiptarët (1995) etj.
Latif Berisha është hartues i dy teksteve shkollore. Numri tematik ” Jeta e re” , 3/2000 i kushtohet Latif Berishës.
Universiteti i Prishtinës , Fakulteti i Filologjisë, Dega e Letërsisë Shqipe, nën përkujdesjen e Isak Shemës, Nuhi Rexhepi e Sali Bashota përgatitën tekstin “Vepra” në të cilën u përmblodhën poezitë, studimet, vështrimet,trajtesat e poetit,studiuesit,profesorit e veprimtarit Latif Berisha.
Në vitin 2004, Presidenti Historik Dr.Ibrahim Rugova,e dekoroi prof. Latif Berishën me Medaljen e Artë të Pavarësisë, për kontributin e dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Në 10 vjetorin e vrasjes së prof. Latfi Berishës, më 24 mars 2009, Presidenti i Republikës së Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu e përmbushi detyrën e Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova, duke ia ndarë Medaljen e Artë të Pavarësisë, familjes së prof. Latif Berishës,në akademinë përkujtimore që u mbajt në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, në Mitrovicë.