Në programin “Dola te Ola” këtë të diel ishte e ftuar pedagogia e pianos Nadjezhda Porodini, e cila gjatë karrierës së saj si mësuese e pianos në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, ka qenë e dashuruar me profesionin e saj, mësimdhënien.
Pedagogia e pianos Nadi, siç e njohin të gjithë, falë punës dhe përkushtimit të saj, ka nxjerrë mbi 30 nxënës që janë vlerësuar me çmime kombëtare e ndërkombëtare, të cilët kanë studiuar e studiojnë në shkollat më të mira evropiane dhe amerikane ose bëjnë jetë koncertale.
Gjatë bisedës së bukur në studio u shfaqën videomesazhe të ndryshme nga disa prej nxënësve të saj, të cilët vazhdojnë rrugën e tyre të artit nëpër botë. Ata shprehën vlerësimin e madh që kanë për Nadjezhdën si pedagogia e tyre e pianos dhe si njeri.
“Jam me fat që në vitin 1985 hyre në jetën time. Njerëz si ti e bëjnë botën tonë më të mirë”, tha Fedra Blido (nga Gjermania) ndër të tjera në mesazhin e saj. “Përkushtimi juaj mua më ka lënë mbresa dhe qëndron fuqishëm në artistin që jam. Ju falënderoj jashtë mase që jeni ky njeri i bukur dhe që më keni ndihmuar të jem artisti që jam tani”, tha Redi Llupo (nga SHBA).
Ndërkohë fjalë të bukura zemre tha edhe ish-nxënësi i saj Marvin Beli (që studion në Londër). “Je një person që zë një vend shumë të veçantë tek unë. Ndihem me shumë fat që kam patur mundësinë të ndjek rrugëtimin tim në piano me një pedagoge të një niveli kaq të lartë. Nuk do ta arrija këtu ku jam, nëse nuk do të isha fryt i një inspirimi dhe insistimi të vazhdueshëm nga mësuese Nadi”.
Ndërkohë pedagogia është një model frymëzimi edhe për ata nxënës të saj që ndoqën rrugën e mësimdhënies. “Kam ndjekur modelin tuaj se si unë jap mësim. Je vlerë e arsimit, pianistëve dhe shkollës shqiptare”, tha Merita Rexha (Sot pedagoge në Institutin e Arteve).
Nadjezhda prej disa vitesh e ka mbyllur karrierën pedagogjike në shkollën artistike “Jordan Misja”, por në program nuk munguan dy videomesazhe nga dy ish-kolegë të Liceut Artistik. Nga Roland Xhoxhi, ish-drejtues i Liceut Artistik dhe mësuese Alma Strazimiri, të cilët shprehen vlerësimet e tyre të larta për anën profesionale, por edhe për integritetin njerëzor të Nadjezhdës.
Ky rrëfim jete për pedagogen e pianos nuk mund të mbyllej më bukur se sa me tingujt që vetë ajo luajti në piano.