Figura e akademikut, antropologut dhe arkeologut zviceran Eugene Pittard u soll sot në vëmendje në një aktivitet, që solli të plotë përmasat e tij intelektuale, shkencore dhe humanitare.
Arkeologu solli ndihma humanitare gjatë zisë së bukës më 1924, zbuloi zonën arkeologjike të Trenit në Prespë ndërsa loboi për Shqipërinë në lidhjen e kombeve.
Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, vlerësoi lidhjen mes dy vendeve përmes tij.
“Sot festojmë jetën dhe veprën e një intelektuali zviceran, kontributet e të cilit për Shqipërinë, kanë lënë një gjurmë të dukshme në historinë e dy vendeve tona. Ai është pa dyshim një trashëgimi e vërtetë zvicerano-shqiptare. Ai u bë zëdhënës ndërkombëtar i Shqipërisë në një moment delikat. Pittard kontribuoi fuqishëm për të drejtat e vendit, për sovranitetin, dhe luajti një rol vital në pranimin e Shqioërisë në Lidhjen e Kombeve” , tha Huber, raporton euronews.al
Studiuesi Luan Rama tha se Pittard së bashku me gruan e tij Helene Pittard, erdhën në Shqipëri dhe takuan figurat më të njohura politike e kulturore të Shqipërisë së Viteve 1920.
Kudret Isaj, autor i një studimi për lidhjen e Pittard me Shqipërinë vuri në dukje sakrificën e arkeologut për Shqipërinë që të mos i rrezikohej e ardhmja.