Kush po e sulmon mësuesin shqiptar dhe shkollën shqipe në  Kosovë

Mësuesit janë shkollat, administrata , inxhinieria, arkitektura, kultura, sporti, inovacioni, shëndetësia, armata, policia, gjyqësia…kreeeejt shteti! Luftimi i mësuesit është luftë kundër shqiptarizmës në Kosovë, shkruan në faqen e tij një gazetar e publicisti i njohur i Kosovës.

Shkruan: Ymer Avdiu

Në viset shqiptare të pushtuara nga “Serbia e parë”, 1912 e më vonë nga Kralevina e Jugosllavisë, (1918), nëse gjendej një libër shqip, ose vetëm një abetare digjej një fshat i tërë , në mos disa fshatra rreth tij. Më 1941 Ernest Koliqi i madh, asokohe ministër i arsimit në Tiranë dërgoi një armatë të tërë më mësues shqiptarë dhe hapen shkolla shqipe në të gjitha trojet shqiptare të pushtuara më 1912 që nga Tivari e deri në Ohër, diku rreth 310 mësues vetëm në Kosovë. (Vjet në shtypin e Tiranës pati një fushatë të egër kundër Ernest Koliqit që e etiketonin si spiun serb e jugosllav këtë  kolos të shkollës dhe kulturës shqiptare dhe dihet pse.) Pas vitit 1944 kur u ripushtuan trojet shqiptare nga Jugosllavia komuniste e Titos dhe kur nëpër Kosovë ende ishin partizanët shqiptarë të Enver Hoxhës dhe ishte “bërë vëllazërimi me popullin vëlla serb dhe popujt tjerë “vëllezër jugosllav”, shkolla shqipe tashmë kishte lëshuar rrënjë dhe për shkak të rrethanave të kohës ato nuk mund të mbylleshin përnjëherë, prandaj vazhduan punën e tyre, bile organizoheshin edhe kurse kundër analfabetizmit edhe për gratë dhe vajzat.

Mësuesi shqiptar nën “llupën” e shërbimit famëkeq të UDB-se dhe OZNA-s dhe mësimi nga lënda e historisë se “të parët tanë ishin sllavët e jugut”

 Mirëpo, që nga fillimi i sistemit titist, puna e mësuesit shqiptar në Kosovë, po edhe në Sanxhak, Maqedoni e Mal të Zi ishte nën vrojtimin e rreptë të shërbimeve famëkeqe të policisë dhe ushtrisë serbe dhe jugosllave UDB dhe OZNA (më vonë KOS). Me fillimin e viteve -50-ta kishte filluar ndjekja masive e mësuesve, mbyllja e shkollave nëpër fshatra dhe “turqizimi” e “muslimanizimi-boshnjalizimi” i shkollave nëpër qytete. Kjo ishte uvertyra për përzënien e shqiptarëve në Turqi (dhe veçmas pas Marrëveshjes famëkeqe të Splitit (1953) dhe pas forcimit të sistemit policor të ministrit të brendshëm jugosllav, Aleksandër Rankoviqi, që në popull njihet si “Koha e Rankoviqit) dhe “Aksionit të Armëve” që ishte fushata më famëkeqe dhe më ogurzezë kundër shqiptarëve. Në këtë periudhë fillon burgosja e mësuesve, largimi nga puna, rekrutimi i tyre në shërbimin sekret, ndjekja e tyre për Turqi e ngapak edhe në Shqipëri, por edhe vrasja dhe mbytja nën torturë e mësuesve, siç ishte rasti i mësuesit Fazli mësuesit Fazli Grajçeci, të cilin e mbytën në lokalët e UDB-së në Prishtinë , e që u bë simbol i qëndresës dhe martirizimit për shkollën shqipe. Dhe, në këtë periudhë, derisa u botua libri i Ali Hadrit “Historia e popullit shqiptar” në librat e përkthyer nga serbishtja mësonin se “të parët tanë ishin sllavët e Jugut”. Pasojat ishin shumë të mëdha për kombin shqiptarë, i cili u përgjysmua në numër, sepse pos largimit të një pjese të madhe në Turqi, një pjesë tjetër e shqiptarëve kryesisht në periferi, siç qe rasti me shqiptarët e Sanxhakut, që tashmë ishte ndarë ndërmjet Serbisë e Malit të Zi dhe pjesëve të tjera të Malit të Zi dhe procesi i asimilimit të shqiptarëve në boshnjak përfundoi deri në fund të viteve 70-ta , kohë kjo kur gjuha shqipe flitej vetëm nga të vjetrit. Edhe procesi i asimilimit të shqiptarëve ortodoks në maqedonas e serb u krye plotësisht, por nuk mbeti pa u prekur nga asimilimi në turq e boshnjak e kroat edhe brenda vetë Kosovës e Shkupit.

 Pas rënies së Rankoviqit dhe veçmas pas hapjes së Universitetit të Prishtinës më 1970 dhe ndryshimeve kushtetuese 1974 shkolla shqipe u bë motori i emancipimit të shqiptarëve në Kosovë dhe shqiptarëve të tjerë në ish-Jugosllavi.

Për një dekadë shqiptarët arritën “të kapërcejnë shekujt” e territ në saje të shkollës shqipe nga foshnjorja deri te Universiteti dhe ideali i “Rilindjes Kombëtare Shqiptare” u sendërtua brenda asaj dekade në Kosovë dhe ndër shqiptarët nën Jugosllavi , sepse në vitin 1980 të gjitha veprimtaritë dhe ndërmarrjet shoqërore që nga shkollat e Universiteti, mediet, institucionet kulturore dhe shkencore e veprimtaria botuese, institucionet shtetërore, ekonomike, industriale, shëndetësore, të sigurisë etj., (pos ushtrisë) udhëhiqeshin nga kuadrot e shkolluara në Universitetin e Prishtinës. Pas demonstratave të vitit 1981 i gjithë arsenali shtetëror i Serbisë dhe i Jugosllavisë u fokusua në rininë studentore dhe mësuesit shqiptarë që nga fillorja e deri të Universiteti. U burgosën studentë, nxënës, mësues profesorë, vazhdoi diferencimi i pandërprerë i tyre, largimi nga puna, u ndaluan tekstet shkollore, u punua aq shumë për “bërthamat e përbashkëta” të kurikulave dhe u kërkua sistemi i paritetit në Universitet, që nënkuptonte që numri i studentëve dhe profesorëve shqiptarë të ishte sa shqiptarë, aq edhe serb. Kurse, në fjalorin e përditshëm politik dhe medial ishte standardizuar epiteti për shkollat dhe veçmas Universitetin si “çerdhe e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar” dhe më vonë edhe e “terrorizmit shqiptar”, që ishte ndësyemje e milicisë serbe për ndjekje represive të profesorëve dhe studentëve, e që me masat shtetërore synohej ky “dealbanizim”. Kësaj fushate propaganduese dhe kësaj makinerie dhunuese shtetërore serbe antishqiptare ia mbanin ison, bile ndonjëherë ishin edhe më të zëshëm shërbëtorët e tyre shqiptarë, veçmas ata të periudhës së Rakonviqit, që mbas ramjes së tij, ishin deklasuar edhe ata po ringjalleshin tash pas ndryshimeve të vitit 1981. Kurse me pushtimin klasik të Kosovës, me tankse dhe ushtri dhe me “masa të dhunshme”, pas suprimimit të autonomisë së Kosovës, institucionet e para që i mbylli Serbia në Kosovë ishin shkollat, mediet dhe institucionet shëndetësore. Përkundër këtij presioni kaq të madh të shtetit serb mbi shkollat dhe mësuesit, ishin pikërisht këto institucione që bënë rezistencën aktive dhe më përmbajtjesore kundër okupimit serb. Shkollat, mësuesit, studentët, Universiteti i Prishtinës ishin institucionet e para funksionale që sendërtonin politikën paqësore të Ibrahim Rugovës si President legal dhe legjitim i Republikës së okupuar të Kosovës të shpallur në Kaçanik. Me një fjalë mësuesit, nxënësit, studentët dhe në përgjithësi shkolla ishte strumbullari i rezistencës nga e cila më vonë doli edhe UÇK-ja.

Ishte pikërisht shkolla “paralele” në shtëpi private që e kishte bindur edhe faktorin politik, diplomatik, ushtarak, mediatik dhe opinionin publik në vendet kryesore të botës se shqiptarët janë të zotët ta qeverisin vetveten dhe e meritojnë lirinë dhe shtetin e tyre të pavarur. Prandaj, kjo e kishte tërbuar shtetin serb dhe disa argat të pakët shqiptarë këtu, prandaj mësuesit, nxënësit dhe studentët dhe përgjithësisht shkollat ishin vënë në epiqendër të dhunës serbe. Kurse gjatë luftës shkollat dhe subjektet arsimore, mësuesit, studentët, nxënësit ishin “gjuhu më i preferuar” i aparatit të dhunës së shtetit serb. Kështu që në këtë periudhë u rrënuan dhe dogjën shkolla, u vranë mbi 1200 fëmijë-nxënës, qindra studentë dhe shumë mësues e profesorë. Ndër viktimat e para serbe më 24 mars 1999 ishin profesor Latif Berisha dhe Agim Hajrizi, kryetar i SBASHK-ut në Mitrovicën, pastaj profesor Bardhyl Çaushi, profesor Nushi, profesor Agani, profesor Ukshin Hoti dhe shumë të tjerë.

 Arsimi shqip në Kosovë është i dëmtuar, por nuk është i dështuar

Segmenti i parë që mori kompetenca pas formimit të institucioneve të Kosovës qe shkolla,-sistemi i arsimit. Filloi mirë, por nuk vajti mirë pastaj. Dhe për këtë ndikuan shumë faktorë, për të cilët pajtohen në parim shumica e atyre që e njohin shkollën dhe sistemin arsimor e ata janë:

– Eksperimentimi me shkollën në të gjitha nivelet pa një analizë paraprake dhe pa një qëllim dhe synim ku do të shpijmë sistemin arsimor dhe çka duam nga shkolla jonë si shtet dhe si shoqëri; Kopjimi pa kriter i sistemeve të ndryshme të arsimit, kurrikulave, programeve dhe strategjive pa asnjë analizë dhe studim paraprak, por vetëm sa për tu dukur modern, “për t’ua bërë qejfin të huajve” dhe në shumicën e rasteve as autorët e këtyre dokumenteve pa e kuptuar materien , të cilën e kishin miratuar, që nënkupton se në ndërtimin e reformës ishin angazhuar diletantë dhe nuk ishin ftuar njohësit e arsimit, ose edhe më keq nuk ishte dëgjuar fjala e tyre; Botimin e teksteve shkollore pa kritere shkencore dhe pedagogjike-didaktike, por për përftime material dhe prestigj fiktiv të shumicës së autorëve; Politizimi i skajshëm i sistemit arsimor, duke e shndërruar arsimin në fidanishte të votave dhe servis për prodhimin e diplomave, në të gjitha nivelet deri në titullin shkencor dr., për militantët e partive në pushtet dhe strehë për rehatimin e militantëve partiak; .

Përdorimi i sistemit arsimor si aset fitimprurës në të gjitha format dhe në të gjitha nivelet për grupet e caktuara të pushtetarëve, militantëve dhe grupeve të caktuara të afërme me pushtetin; Mosfunksionimi i hallkave të sistemit të arsimit, si pasojë e paqartësisë së përgjegjësive, përzierja e kompetencave, duke mos ditur se ku nisin e ku përfundojnë përgjegjësitë e Ministrisë së Arsimit, komunës, shkollës dhe subjekteve të tjera arsimore; Testi i arritshmërisë dhe testi kombëtar u shndërrua qëllim në vete dhe u përdor jo për matjen e mësimdhënies dhe mësimnxënies, por si mjet për përcaktimin e vazhdimit të shkollimit të fëmijës-nxënësit, duke ndikuar te nxënësi që të mos mësojë për dije, por për kalimin e testit, nga i cili varet vazhdimi i shkollimit të tij; Shoqëria civile, e cila në vend se të kritikojë dhe të gjejë pikat e dobëta të sistemit, janë shndërruar në argatë të të fortëve të arsimit dhe jashtë tij dhe përfitojnë tejet shumë, duke i kryer detyrat që marrin nga bosët e tyre dhe i sulmojnë në rastet më të shumta ata njerëz që mundohen të bëjnë ndonjë të mirë për shkollën; ; Shuarja e Fakultetit të Mësuesisë dhe hapja e Fakultetit të Edukimit pa asnjë kriter, por vetëm për ti rehatuar militanët; Heshtja e institucioneve kredibile si ASHA e Kosovës, UP dhe fakultetet që shkollojnë kuadër arsimor, Institutit Albanologjik, Institutit Pedagogjik, mungesa e inspektorit me kompetenca, mungesa e këshilltarëve pedagogjik, mungesa e analizave për gjendjen arsimore në mediet tona që nuk kanë gazetarë të specializuar për fushën e arsimit. Dhe mbi të gjitha marrja e autonomisë së shkollës si në aspektin organizativ, profesional dhe të buxhetit, madje deri në pikën e shndërrimit të drejtorit të shkollës në menaxher dhe veçmas menaxher të qendrës së votimit, etj. Të gjitha këto e kanë dëmtuar shkollën tonë, mirëpo sado që arsimi në Kosovë është i dëmtuar, nuk është i dëmtuar. Madje, mësuesit, mbi të cilët po villet vrarë nga segmente të caktuara, janë pjesa më e ndritshme e sistemit tonë arsimor, ani pse ka edhe mësues të dobët, si edhe gjithkund tjetër.

Shkolla shqipe në Kosovë, nëse nuk është më mirë, nuk është nën niveleve të vendeve të rajonit dhe kjo dëshmohet me sukseset e nxënësve dhe studentëve tanë në arenën ndërkombëtare, qoftë në pjesëmarrje në gara e forume të ndryshme, qoftë si kuadro që pranohen në punë në vende të ndryshme të botës së përparuar. Shkolla shqipe do reformim rrënjësor s’ka dyshim, por reforma nuk mund të bëhet mbi kurrizin dhe mbi dinjitetin e mësuesit. Shkolla është segmenti më i rëndësishëm i një shoqërie, apo siç e përkufizonte gazetari dhe publicisti Behar Zogiani në në shkrim në profilin e tij:” Mësuesit janë shkollat, administrata , inxhinieria, arkitektura, kultura, sporti, inovacioni, shëndetësia, armata, policia, gjyqësia…kreeeejt shteti! Luftimi i mësuesit është luftë kundër shqiptarizmës në Kosovë”. Mësuesit kanë të drejtë të kërkojnë paga të dinjitetshme dhe të bëjnë grevë dhe çështja e kërkesave të tyre mund dhe do të zgjidhet ekskluzivisht në raport me punëdhënësin e tyre-Qeverinë e Republikës së Kosovës, që është edhe përgjegjësia kryesore e saj dhe mbase edhe preokupim i madh i saj. Mirëpo, Qeveria e Kosovës duhet të jetë shumë e kujdesshme dhe e ndjeshme ndaj atyre zërave dhe asaj lukunie që këto ditë u vërsulën mbi mësuesit shqiptarë, që i dënuan, i diferencuan, i shpallën të paaftë dhe fajtorë për krejt dështimet në sistemin arsimor. Nëse qeveria nuk ua mban krahun shkollave pasojat do të jenë fatale për shoqërinë dhe shtetin e Kosovës.

Mësuesin po e sulmojnë ata që padrejtësisht përfituan prej sistemit arsimor

Ka disa vjet që sistemi arsimor sulmohet në secilin rast që krijohet, kurse në qendër të sulmeve, si fajtor kujdestar të këtyre kritizerëve janë mësuesit, që sipas kritikuesve janë e keqja kryesore që e kanë shkatërruar shkollën shqipe. E vërteta është se mësuesit janë hallka më e ndritshme e sistemit tonë shkollor. Sulme dhe zhurmë  rreth shkollës shqipe pati edhe këto ditë, kur ka filluar greva e mësuesve për paga dhe ditë më parë kur u shtrua çështja e tërheqjes së UA për çështjen e shamisë. Kush janë zhurmuesit dhe pse vazhdimisht sillen kështu. Përgjigja e parë është: janë ata që kanë përfituar më së shumti nga sistemi shkollor i Kosovës pa asnjë meritë, u janë lajkatuar të gjitha qeverive dhe subjekteve në pushtet që nga paslufta, ata, ose të parët e tyre e kanë dëmtuar shkollën shqipe edhe para  lufte , duke qenë argat të sistemit komunist okupues jugosllav, dhe mbase edhe tash  i kryejnë shërbim dreqit e të birit, sepse arsimi është segmenti më i ndjeshëm në të gjitha pjesët e shoqërisë, madje edhe ikja e të rinjve dhe e popullsisë nga vendi, siç thonë ata që largohen bëhet për shkak të perspektivës së fëmijëve dhe sistemit arsimor të dështuar. Prandaj, institucionet e shtetit, pos se duhet të ndërhyjnë, duhet edhe t’ua tregojnë vendin atyre që janë tendenciozë e qëllimkëqij ndaj shkollës dhe mësuesit. Këta zhurmaxhinjë në shikim të parë duket sikur e kanë për qëllim ti hynë në hatër pushtetit, qoftë me rastin e grevës së mësuesve, qoftë për rastin e UA për shaminë, e që kjo e fundit është çështja që më së paku e preokupon qytetarin e Kosovës, por përsëritët tash e 20 vjet si pllakë e gramafonit të prishur sa herë që Kosova është para një zgjidhje, apo një krize me Serbinë. Janë këta zërat e njëjtë që tash e sa kohë i rrinë në qafë mësuesit dhe sistemin shkollor në Kosovë, që e kritikojnë për gjithçka dhe që vazhdimisht kritikojnë, pa ofruar asnjëherë alternativë, kërkojnë reformë shkollore, pa dhënë asnjë ide dhe në të shumtën e rasteve vetë kanë qenë bartës të reformës, e cila sic po shihet ka dështuar. Këta “veprimtarë të moderuar” që u përngjasin në shikim të parë “levantinëve” të Konicës e akuzojnë njëri-tjetrin për përfitime të mëdha në kurriz të arsimit, akuza që do duhej parë edhe prokurorët e shtetit, por, kur është puna për t’i sharë e linçuar mësuesit dhe për ta shpallur të dështuar sistemin shkollor në Kosovë, bien krejt në një gojë. Besoj që të gjithë në Kosovë do të ishim të lumtur që këta kritizerë e zhurmaxhinjë të na e tregonin vetëm një rezultat të tyre apo të na e tregonin vetëm një të mirë që ia kanë bërë arsimit shqip në Kosovë. Jemi vend i vogël dhe njihemi ndër vete dhe askush askujt-në këtë vend nuk mund ti shesë pezhgve për pekmez.