Përfshirja e fëmijëve në kopshte dhe çerdhe mbetet ende larg standardeve evropiane. Shteti i Kosovës vazhdon të mbetet në nivelin më të ulët në edukimin e fëmijërisë së hershme.
Numri i vogël i institucioneve parashkollore në vendin tonë nuk siguron gjithëpërfshirje të fëmijëve në këtë sistem.
Në mbarë vendin janë vetëm 49 institucione publike parashkollore. Kjo e dhënë përmendet edhe në Strategjinë e Arsimit 2022-2026 të përpiluar nga MASHT-i.
Në këtë dokument, theksohet se Edukimi në Fëmijërinë e Hershme(EFH) përballet me: shpërndarjen jo adekuate të institucioneve parashkollore në vend, numrin e vogël të institucioneve parashkollore publike (vetëm 49 në mbarë vendin), mungesën e infrastrukturës së mjaftueshme për përfshirjen e fëmijëve, mungesën e resurseve njerëzore për ofrimin e shërbimeve të integruara të mirëqenies, shëndetit dhe edukimit për zhvillimin e gjithanshëm të fëmijëve.
“Përfshirja e fëmijëve në edukimin parashkollor, veçanërisht mosha 0-4 vjeç është tejet e ulët dhe si e tillë përbën sfidë në nivel vendi. Kjo sfidë përkthehet direkt edhe në nivel të ulët të pjesëmarrjes së grave në tregun e punës, për shkak që përgjegjësitë e kujdesit, në mungesë të institucioneve parashkollore, bien në mënyrë dërrmuese mbi gratë”.
Në këtë drejtim, theksohet se Kosova vazhdon të mbetet vendi në rajon me shkallën më të ulët të pjesëmarrjes së fëmijëve në edukimin parashkollor.
“Shkalla bruto e përfshirjes së fëmijëve në edukimin parashkollor 0-4 është 6.7%, ndërsa në nivelin parafillor gjendja është dukshëm më e mirë ku shkalla bruto e regjistrimit të fëmijëve është 88.1%. Në përgjithësi në të gjitha format e edukimit parashkollor janë 19.5%29 e fëmijëve të përfshirë. Për fëmijët 0-2 vjeç, përfshirja mbetet ende tejet e ulët, me një total prej 3.9% të përfshirë”, thuhet në këtë strategji.
Ndërsa, për fëmijët e moshës 3-4 vjeç, sipas këtyre të dhënave përfshirja është 15%.30.
Fëmijët nën 5 vjeç në zonat rurale janë të përfshirë në institucione parashkollore tre herë më pak se bashkëmoshatarët e tyre në zonat urbane, për shkak se këto shërbime në zonat rurale pothuajse nuk ekzistojnë.
Në zonat urbane janë të përfshirë 25.5% të fëmijëve në programe të EFH, ndërsa në ato rurale vetëm 7.9% janë të përfshirë në EFH.31 .
Ndër arsyet kryesore për këtë përfshirje të ulët që theksohen në Strategjinë e Arsimit 2022-2026 është shpërndarja jo e duhur e institucioneve parashkollore në zonat rurale, element i cili është i ndërlidhur me faktorët social dhe ekonomik, sidomos punësimi i nënave, duke ditur se shërbimet e EFH ofrohen me pagesë. /Dijasot.com