Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF në Kosovë, përmes një komunikate për media, ka bërë të ditur se përmes organizatave anëtare ka përcjellë rifillimin e procesit mësimor e më specifikisht mbarëvajtjen e procesit mësimor gjatë dy javëve të para dhe e ngreh si një çështje jetike e shumë të rëndësishme mbrojtjen e shëndetit mendor të fëmijëve gjatë kësaj faze të rikthimit në shkolla.
“Pandemia globale COVID-19 prej muajsh tashmë ka shkaktuar një paralizë të shumë sferave të jetës, me ndryshime radikale e të menjëhershme në mënyrën e jetesës sonë. Kjo situatë e jashtëzakonshme, e shoqëruar me pasigurinë totale për të nesërmen, privimin e pjesshëm të lirisë, ndarjen nga njerëzit e dashur dhe ndërprerjen e detyruar të aktiviteteve të përditshme, ka prodhuar shqetësim, ankth e traumë te çdo individ, mbi të gjitha te grupet më të ndjeshme, siç janë fëmijët. Ndërprerja e mësimit ishte një ndër faktorët kryesorë të cilët shkaktuan kaos në jetët e fëmijëve e ndër të tjera ngjallën frikë e pasiguri mes tyre. Ndërprerja e mësimit në muajin mars 2020 ishte i detyrueshëm dhe e përshpejtuar si pasojë e shpërthimit të pandemisë, duke mos lënë asnjë hapësirë për ta bërë procesin më gradual e të pranueshëm për fëmijët”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu KOMF konstaton se edhe rinisja e procesit mësimor është bërë pothuajse në mënyrën e njëjtë, pa hapa të mjaftueshëm përgatitorë të zhvilluar në bashkëpunim ose me pjesëmarrjen e fëmijëve dhe të prindërve.
“Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka përcaktuar modelin për rifillimin e procesit mësimor, ndarjen e klasave në grupe, mësimin e kombinuar etj. Megjithatë nuk janë bërë mjaftueshëm konsultime ose sesione paraprake (qoftë virtuale) me fëmijët dhe prindërit për t’i informuar dhe përgatitur ata rreth asaj çfarë pritet të ndodhë nëpër shkolla me fillimin e vitit. Po ashtu KOMF konsideron që nuk ka pasur konsultime të mjaftueshme me nxënësit sa i përket ndarjes në klasa dhe ka munguar një qasje e unifikuar për ndarjen në grupe, e cila do të minimizonte pakënaqësitë”, bën të ditur KOMF.
Sipas KOMF-it, dilemat rreth nisjes së procesit mësimor dhe shtyrja e datës së fillimit të shkollës, shoqëruar me mungesën e përgatitjeve të duhura, kanë ndikuar dukshëm në gjendjen psikologjike të fëmijëve, aq më tepër kur marrim në konsideratë situatën e rënduar përgjatë muajve të fundit.
“Shëndeti mendor, njëjtë si ai fizik, ka një rëndësi të pakontestueshme në garantimin e zhvillimit të fëmijëve në përputhje të plotë me interesin më të mirë të tyre. Është jetike që shkollat, institucionet, mësimdhënësit dhe të gjithë ofruesit e shërbimeve të kujdesen fillimisht që fëmijët të përshtaten në mënyrë graduale e të pranueshme nga vetë ata në mjediset ku marrin shërbime, të ndihen të sigurt, të qetë e të mbrojtur. Kjo është cekur edhe në udhëzime të lëshuara nga profesionistë të fushës së shëndetit mendor dhe zhvillimit të fëmijëve”, thuhet në komunikatë.
Ndër të tjera, KOMF-i bën të ditur se një grup i ekspertëve nga disa universitete në Angli, në një thirrje drejtuar autoriteteve arsimore në muajin maj 2020, kanë nënvizuar faktin se është thelbësore që me hapjen e shkollave autoritetet të prioritizojnë lojën, socializimin dhe shëndetin mendor të fëmijëve mbi mësimin formal dhe progresin akademik, pasi shëndeti i varfër mendor mund të çojë në probleme mendore afatgjata./Dijasot.com