Klasët edhe me nga një nxënës, Ministria e Arsimit nis procesin e riorganizimit të shkollave

Grupi punues në Ministrinë e Arsimit, janë duke punuar në Udhëzimin Administrativ, përmes të cilit një numër i madh i shkollave mund t’i nënshtrohen riorganizimit.

Drejtoritë e arsimit kanë dërguar të dhënat për shkollat që kanë numër të vogël nxënësish, të cilat potencialisht mund të bëhen pjesë e këtij procesi, njofton Klan Kosova.

Në kryeqytet janë të paktën pesë të tilla, tek disa prej të cilave ka klasë me nga një nxënës. Megjithatë në Drejtorinë Komunale të Arsimit në Prishtinë, thonë se edhe po të finalizohet Udhëzimi Administrativ, këtë vit është zor i zbatueshëm, meqë linjat buxhetore janë definuar e që për t’u siguruar transport fëmijëve në ato zona duhet të ndahet buxhet.

Në Ministrinë e Arsimit u deklaruan se është duke u punuar ende në këtë dokument, derisa vetëm pas analizimit të dhënave mund të dihen të hapat e mëtutjeshëm.

Në dikasterin e arsimit u deklaruan se janë marrë masat që të mos përballen me kundërshtime, siç pati ndodhur me reformën në Kamenicë.