Me ndryshim-plotësimet e një udhëzimi administrativ, të miratuara nga Qeveria e Kosovës, pronat e sekuestruara të biznesmenit serb nga veriu i Kosovës, Milan Radoiçiq, do t’i jepen në shfrytëzim Ministrisë së Brendshme të Kosovës, përkatësisht Policisë së Kosovës.
Lidhur me këtë çështje, në një prononcim për GazetaBlic, u deklarua deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Hisen Berisha. Ai quan çështje juridike dhe strategjike për Policinë e Kosovës konfiskimin e pronave të Radoiçiqit, dhe se vendimi i Qeverisë për konfiskimin e këtyre pronave ngre edhe disa çështje të tjera.
“Konfiskimi i pronave të Radoiçiqit, çështje juridike dhe strategjike për Policinë e Kosovës. Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të kaluar pronat e konfiskuara të Radoiçiqit në përdorim nga organet e sigurisë së Kosovës ngre disa çështje të rëndësishme, veçanërisht në lidhje me paligjshmërinë e ndërtimit të objektit dhe sfidat juridike që mund të lindin, pozicionin strategjik të objektit dhe sa do t’i shërbejë Policisë së Kosovës në aspektin operacional. Dihet se ndërtimi i këtij objekti është konsideruar ilegal dhe pa leje të rregullt, duke shkelur kështu ligjet dhe rregulloret urbanistike të Kosovës, në raport me standardet e ndërtimit në zona të përgjegjësisë së veçantë dhe objekte strategjike si Ujmani. Kjo paligjshmëri vë në pah një problematikë të rëndësishme të zbatimit të ligjit dhe kontrollit të ndërtimit në vend. Nëse objektet janë ndërtuar pa leje ose në kundërshtim me kriteret ose me shkelje të rregullave, ato duhet të trajtohen në përputhje me ligjin”, deklaroi ai.
Tutje, deputeti tha se çështja e pozicionit strategjik të objektit të vilës së Radoiçiq duhet të analizohet me kujdes.
“Sa i përket çështjes së pozicionit strategjik të objektit, kjo është një çështje që duhet të analizohet me kujdes. Nëse objekti është vendosur në një vend që mund të ofrojë avantazhe operacionale për Policinë e Kosovës, atëherë përdorimi i tij mund të justifikohet nga këndvështrimi i sigurisë publike. Megjithatë, kjo nuk justifikon ndërtimin e paligjshëm dhe duhet të shqyrtohet nëse objektet janë të sigurta dhe të përshtatshme për përdorim”, tha ai.
Po ashtu, Berisha tutje përmend edhe aspektin juridik rreth objektit të vilës që mund të vijë nga pronari i mëparshëm.
“Një aspekt tjetër i rëndësishëm është kontestimi juridik që mund të vijë nga pronari i mëparshëm. Nëse pronari ka pasur leje ndërtimi të lëshuar nga institucionet e Kosovës dhe ka ndërtuar objektin bazuar në këto leje, atëherë vendimi për konfiskimin e pronës dhe transferimin e saj tek organet e sigurisë mund të sfidohet në gjykatë. Ky kontestim mund të ndikojë në ligjshmërinë dhe vlefshmërinë e vendimit të qeverisë. Por kjo do të varet nga vendimi i gjykatës dhe pasojat juridike që do t’i shqiptohen kriminelit që e ka në pronësi objektin”, theksoi ai.
Për në fund, deputeti i PDK-së Hisen Berisha tha se vendimi i qeverisë rreth pronave të konfiskuara, është e domosdoshme të jetë në përputhje me ligjet dhe rregulloret e Kosovës.
“Pra, ndërsa vendimi i qeverisë mund të shihet si një hap i rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar, është e domosdoshme që ai të jetë në përputhje të plotë me ligjet dhe rregulloret e Kosovës për të shmangur ndonjë kundërshtim juridik dhe për të siguruar që veprimet e institucioneve të bazohen në parime të forta të sundimit të ligjit”, përfundoi deputeti i PDK-së Hisen Berisha.