Hapet aplikimi për Kampin dhe Shkollën Verore 2019

Nxënësit shqiptar që jetojnë në vendet perëndimore, ata në Kosovë si dhe Shqipëri do të mundësi të ndjekin Shkollën Verore 2019 dhe Kampin Veror me mbështetje të Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike (MDIS). Të dyja këto aktivitete do të ofrohen pa pagesë për pjesëmarrësit.

Të drejtë aplikimi kanë fëmijët dhe të rinjtë nga diaspora, Kosova dhe Shqipëria të moshës 13 – 17 vjeçare. Ndërsa, afati i i fundit për aplikim është data 14 korrik 2019.

“ MDIS-së duke u mbështetur në  Ligjin nr.04/L-095 të Diasporës dhe Mërgatës, Planin e Veprimit të Punës për vitin 2019, projektet për mësimin plotësues në Diasporë, me qëllim të përkrahjes, ruajtjes, kultivimit të identitetit kulturor, gjuhësor dhe arsimor të mërgimtarëve, veçmas të fëmijëve të diasporës, organizon një kamp dhe një shkollë verore të cilat do t’u mundësojnë të rinjve nga diaspora të krijojnë lidhje të reja shoqërore. Gjatë qëndrimit në vendlindje, nxënësit do të kenë aktivitete të shumta me tema të ndryshme në funksion të edukimit të tyre, që t’ua forcojë edhe më shumë ndjenjën e dashurisë dhe të respektit për vendin dhe për njerëzit”, thuhet në njoftimin e publikuar nga kjo ministri.

Programi i kampit/shkollës verore që do të mbahet në Rugovë (Pejë), sipas ministrisë do të jetë interaktiv dhe do të përmbajë: aktivitete socializuese, mësimi joformal (përmes aktiviteteve dhe strategjive bashkëkohore të mësimdhënies), vizita njohëse të monumenteve historike, kulturore dhe bukurive natyrore, aktivitete sportive, si dhe mbrëmje zbavitëse me muzikë.

Koha e mbajtjes do të përfshijë periudhën 20 deri më 24 korrik 2019 – kampi veror, kurse 5 deri më 9 gusht 2019 – shkolla verore.

Numri i pjesëmarrësve që do të pranohen për secilin aktivitet do të jetë katërdhjetë (40) veta.