Shkruan: Artan Fuga
Dëgjoja një ditë administratorin bullafiq të një gjoja universiteti privat, që tregonte se institucioni, pronë private e familjes së tij, kishte rregulla strikte, cilësi, modernitet.
Në ditë provimi? – tha.
C’a thua? Unë bëj terror, mo, terror.
E cfarë janë këta studentët? Mashtrues të mëdhenj, horra, por mua nuk ma hedhin dot.
Provime, s’kaaaaaaa, s’le unë të bëj njeri giliviliiiiiiii!
Rrup sup ua bëj! As bëhet fjalë!!!
E shihja dhe herë më dukej si kujdestari, surrat patate, i filmit tani kush ja mban mend emrin, herë si oficer gestapoje te filmi lista e Shindlerit, herë si polic kampi internimi në Tepelenë, herë si karagjoz.
Nuk e di pse!
Dhe vazhdoi:
Telefonin e mbajnë në xhep maskarenjtë kurse në vesh fusin kufje sa një fasule. Prandaj, fillimisht, kush futet në klasë e kontrolloj nga veshët!
I zhvesh nga veshët!
Kokër për kokërr fasuleje i kontrolloj. U fus nga një shtizë në vesh.
Nja dyve u ka ngel fasulja në vesh dhe kanë shkuar në spital për t’i operuar. Sa u futën anestezinë, e pohuan vetë te doktori se përse e kishin bërë.
S’kaaaaa, pse sylesh jam unë!
Sa futen studentët në sallë u mblidhen librat, fletoret, letrat që mund të kenë, xham çdo gjë, telefonat bëhen garumbull aty te banga e parë. As miza nuk lejohet të kalojë.
Se çfarë bëjnë ca goca? Fusin kopje poshtë minifundeve. Prandaj, gjëja e parë, ul kokën dhe shoh se mos ndokush lëviz këmbë a dorë.
Nuk ka vajtje në banjë në provim. Kur dikush ngre pretendimin se ka nevoja personale, kuptohet se përse e bën! Atyyyy, i them, ç’a kishe për të bërë ta bëje para provimit!
Fletët ku shkruhen shtjellimet janë të sekretuara mooooo. Ku di pedagogu se çfarë korrigjon!!! Ashtu në tym! Madje shpesh provimet i korrigjojnë sekretaret
Pedagogu i vendos notën në fillim, pastaj e çon fletoren në sekretari, që këndej bëhet lidhja e kodit me emrin e studentit. , as emër as gjë prej gjëje. Emrat në fletore janë zëvendësuar me shifra të koduara : 007, 5 fraksion 1, 17 17, e kështu me radhë.
Pastaj nis një fazë tjetër. Provimet kalohen në sitë. Po u gjetën tre fjali që janë afërsisht të njëjta në dy fletore të ndryshme, menjëhere skualifikohen të dyja. Kam dhjetë vetë që kontrollojnë fjalitë.
Se teknologjia ecën. E kupton vetë ti!
Tani kam gjetur një gjë tjetër. Ditën e provimit ve në funksionim një aparaturë që ndalon valët telefonike si edhe Internetin në të gjitha hapësirat e universitetit tim, në pronësi. E bëj Black 0ut fare.
Terror, mo po të them! S’ka valë! Fillmisht studentët nuk e kuptonin se përse nuk kishin valë. Unë shkrihesha se i shihja se ç’bisedonin me njeri tjetrin.
Imagjino edhe në çantat e vajzave ve nja dy sekretare të kontrollojnë. Kurse dyert e hyrjes i kam bërë si në Rinas. Skanohet cdo gjë!
Erdhi një kontroll cilësie nga lart! Kur pa se çfarë masash merrnim ne, iku pa zë!
Bravo ! – na tha! Kështu duhet bërë, burg mo burg! Izolohet studenti nga bota e jashtme, si Navalni mo në Siberi! Dhe aty testohet ç’a di!
E dëgjoja, tundja kokën dhe pikëllimi më kishte kapur të gjithin!