Kryeministri Albin Kurti ka dal në një konferencë për media së bashku me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçakun dhe të dërguarin amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar.
Lajçaku tha se do t’i vazhdojnë diskutimet me kryeministrin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani lidhur me planet për javët dhe muajt e ardhshëm.
“Kjo ishte një mundësi e mirë për të diskutuar për planet tona në javët dhe muajt e ardhshëm”, tha Lajçaku duke shtuar se do të qëndrojnë në Kosovë deri të mërkurën.
Ai tha se shpreson që deri atëherë ta ketë një fotografi më të qartë të asaj se çfarë duhet të presim nga e ardhmja dhe se si të ndërtohet procesi.
Nga ana e tij Escobar siguroi se Kosova e ka një partner dhe mik të mirë si SHBA-ja. “Ju duhet të jeni miq me Shtetet e Bashkuara”, tha ai.
“Nga perspektiva amerikane dua vetëm të theksoj se Shtetet e Bashkuara mbështesin pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës”, tha Escobar.
“Ju jeni evropianë, ju jeni historikisht, kulturalisht dhe ekonomikisht evropianë”, theksoi ai.
Kryeministri Kurti tha se qeveria mbështet dialogun parimor dhe të balancuar ku do të përfitonin qytetarët e të dy vendeve.
“Ne jemi të vendosur që integriteti territorial, sovraniteti, funksionimi shtetëror, të mbeten të pacënuara”, tha ai./Dijasot.com