Dy shkolla të reja i shtohen kryeqytetit me standardet më të larta

Dy institucione të reja arsimore i janë shtuar kryeqytetit, shkolla e mesme “Kristo Frashëri” dhe shkolla 9-vjeçare “Vaçe Zela” në Don Bosko, të cilat do t’i japin fund mësimit me dy turne për nxënësit në atë zonë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga këto dy shkolla të ndërtuara me standardet më të mira.

“Mirëmëngjes dhe me dy shkolla të reja që e mbajnë me dinjitetin e standardeve më të larta emrin e Vaçe Zelës dhe Kristo Frashërit, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.

Këto shkolla janë pjesë e programit për 17 institucione të reja arsimore me standardet më të larta në kryeqytet.

Viti i ri shkollor 2021-2022 do mbahet mend si viti ku në Tiranë u ndërtuan më shumë shkolla se asnjëherë tjetër më parë, duke shkuar kështu drejt fundit të mësimit me turne. Shkollat e reja do u shërbejnë edhe banorëve të zonave si qendra komunitare pas zhvillimit të mësimit./atsh