Poezi e shkruar nga Agim Deva. Një nga poezitë më të famshme dhe më të dashura jo vetëm nga fëmijët.
Agim Deva botoi një numër të konsideruar veprash letrare (prozë e poezi), antologji të ndryshme, panorama të poezisë botërore, vepra të ndryshme shkencore, monografi, kritika, recensione, ese, parathënie e pasthënie, një libër leximi për klasë të katërt fillore, dy libra për fëmijët e hendikepuar, libra ilustrativë për fëmijët e moshave parashkollore, libra me karakter ambiental dhe së fundi Abetaren. Që të gjitha këto shtrihen në 80 vëllime.
Për punën e tij letrare u nderua me një varg shpërblimesh në Kosovë dhe më gjerë. Poezitë e tij u përkthyen në disa gjuhë të huaja si në anglisht, gjermanisht, arabisht, italisht, rusisht, sllovakisht, rumunisht, kroatisht, turqisht, sllovenisht, maqedonisht, etj.
Dallohet si shkrimtar për fëmijë, preokupim me të cilin u mor deri ne ditët e fundit te jetës se tij. Ligjëroi, Letërsinë për Fëmijë në Degën e Letërsisë e të Gjuhës Shqipe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës.
Dy duar, tre fëmijë
Nënëz, ma jep dorën!
Ma jep edhe mua!
Nënëz, ma jep dorën,
Se edhe unë të dua!
Tre fëmijë ka nëna
Të gjithë njësoj i do,
Secili prej tyre
Dorën i kërkon.
Tre fëmijë ka nëna,
Por ka veç dy duar
Kujt t`ia japë më parë
Dorën e praruar?
Njërën ia dha Buqes
Tjetrën të voglit Xim,
E Luani ç’bëri?
Iu hodh në përqafim!
Tre fëmijë ka nëna
Del me ta të shëtisë
E prej parkut t`vogël
Kthehet drejt shtëpisë.