Djemtë më shumë prirje të regjistrohen në shkollat e arsimit dhe aftësimit profesional

Interesimi i të rinjve për shkollat e arsimit dhe aftësimit profesional është rritur viteve të fundit dhe
shkalla e orientimit të nxënësve në shkollat e mesme profesionale dhe gjimnazeve është baraspeshuar.
Statistikat e vitit 2020/21 tregojnë se 53% e nxënësve në arsimin e mesëm të lartë vijojnë mësimin
në shkollat e arsimit dhe aftësimit profesional.

Të ndara sipas gjinisë, të dhënat tregojnë se krahasuar me vajzat, djemtë kanë më shumë prirje të regjistrohen në shkollat e arsimit dhe aftësimit profesional. Rreth 42.3% e nxënësve në arsim profesional janë vajza.

“Nga analiza gjinore e orientimit në arsim profesional vërehet tendenca e orientimit të vajzave në profilet e shëndetësisë dhe mirëqenies, biznesit, administrimit dhe drejtësisë. Djemtë kanë tendencë të orientimit në profilet e inxhinierisë, prodhimtarisë dhe ndërtimtarisë, teknologjisë së informacionit dhe komunikimit. Shkalla e orientimit të vajzave në profilet teknike (fusha e inxhinierisë, prodhimtarisë dhe ndërtimtarisë) rezulton 22.5%”, thuhet në Strategjinë e Arsimit 2022-2026.